Policia arreston 16 tifozë maqedonas për fyerje ndaj shqiptarëve (VIDEO)

1 muaj më parë

Policia arreston 16 tifozë maqedonas për fyerje ndaj shqiptarëve (VIDEO)

Policia ka ndaluar 16 të dyshuar pjestarë të grupit “Komitët” për gjuhë të urrejtjes e që kanë lidhje me dy rastet e fundit me thirrje antishqiptare.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se në koordinim me Prokurorinë Publike janë duke ndjekur të dyshuarit në rastin e djeshëm në Gjorçe Petrov dhe të një javë më parë në qendër të Shkupit.

Grup i tifozëve maqedonas “Komiti” me thirrjen e zakonshme “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” provokoi një kolonë dasmorësh shqiptarë, të cilët kalonin me vetura dhe motoçikleta në mesditën e të shtunës në vendbanimin Gjorçe Petrov.

Arrestimin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Suzana Praniq.

“Bëhet fjalë për dy raste për të cilat do të bëhen kallëzime penale. Janë vërtetuar identitetet e pjesëmarrësve në këto raste, janë thirrur në bisedë informative, janë kryer ato intervistimet me ta. Konkretisht për rastin e djeshëm, janë ndaluar 16 persona dhe po ndërmerren të gjitha veprimet shtesë me qëllim që të zbardhet rasti. MPB ka zero tolerancë për veprime të këtilla, kështu që do të punohet në mënyrë intensive deri sa të sanksionohen të njëjtit”.

Ekspertët e sigurisë bëjnë thirrje për reagime të shpejta të organeve të rendit dhe hetuesi me qëllim të mos eskalimit të provokimeve të tilla në incidente ndër etnike.

E eksperti i sigurisë Bashkim Selmani, fajtor për këtë qasje po i bën organet policore, të Prokurorisë dhe gjykatave.

“Vet aparati shtetëror i Maqedonisë ku bëjnë pjesë në organet policore të prokurorisë dhe gjyqësorit në këtë rast e bartin me vete mentalitetin e vjetër se çdo veprim që bëjnë maqedonasit është i lejuar. Kjo është shumë tragjike, është vepër penale drejtuar ndaj gjithë komunitetit shqiptarë dhe është e pa tolerueshme … sepse kur pala tjetër shfaq urrejtje shkaktohen viktima. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për rast individual sepse kemi cenim të dinjitetit, por është atak, përbuzje dhe nënçmim etnik”.

Reagimet ishin të shumta, si nga opinioni ashtu edhe nga opozita shqiptare.

Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së:

“Sjelljet e Komitëve burimin e kanë tek sistemi, që u jep fuqi dhe përkrahje, pavarësisht kush është në pushtet. Për sa kohë sistemi nuk i dërgon prapa grillave këto huligan, fenomene te këtilla s’do të kenë të ndalur!”.

Të dielën e kaluar në sheshin e Shkupit, gjithashtu ky tifo-grup bëri thirrjet e njëjta nacionaliste. Por, provokime të tilla nuk kanë marrë asnjë epilog hetues deri tani.

Sipas Kodit Penal, gjuha e urrejtjes është e dënueshme nga një deri në pesë vite burg.