Policët sërish 12 orë në punë, do të shqiptojnë dënime për ata që s’i respektojnë masat anti COVID-19

5 muaj më parë

Policët sërish 12 orë në punë, do të shqiptojnë dënime për ata që s’i respektojnë masat anti COVID-19

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, është takuar sot me drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në takim, siç bëhet e ditur përmes komunikatës, është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, pas rritjes së numrit të qytetarëve të infektuar me koronavirus.

“Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, rritjen e numrit të qytetarëve të infektuar me Covid-19 si dhe për konsultimet dhe vendimet e fundit që u morën nga Qeveria e Republikës së Kosovës në lidhje parandalimin e virusit, në veçanti për zbatimin dhe funksionalizimin sa më të mirë të Planit të ri Operacional të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u vendos që Policia e Kosovës përsëri të kalojë në orarin 12-orësh, për të pasur në kontroll të plotë situatën.

“Policia e Kosovës do të kujdeset që të shqiptoj dënime konform ligjit për të gjithë ata qytetarë që nuk i respektojnë masat.

Në fund të takimit z. Qalaj, e njoftoi ministrin Veliu se do t’i ftojë në takim të gjithë drejtorët rajonalë të Policisë së Kosovës për të diskutuar konsultimet dhe vendimet e sotme, si dhe të mirën masat e menjëhershme për parandalimin e kësaj pandemie për hir të ruajtjes së shëndetit publik”, bëhet e ditur në komunikatë.