4 muaj më parë

Po të isha në vend të tyre…

Po të isha në vend të tyre…

Po të isha në vendin e familjarëve të Kolonel Ahmet Krasniqit, nuk do të kërkoja e as lejoja rivarrimin e heroit.
Jo, pa pasur një përgjigje nga autoritetet e Shqipërisë në lidhje me ekzekutimin e familjarit të tyre.

Jo, pa e marrë përgjigjen zyrtare në lidhje me fazën e hetimeve të vrasjes së Kolonelit.
Nuk do të pranoja kurrssesi lotët e tyre të krokodilit, pa marrur një përgjigje.

Një përgjigje, pastaj ceremonia.

…………..

Po të isha pjesëtar i parisë së shqiptarëve të Kosovës, sot do të ndjehesha i turpëruar të shkojë në homazhe për Krasniqin.

Jo vetëm kaq, do të ndjehesha I turpëruar edhe të dal e të më shoh dikush n’çarshi. Do të skuqesha nga turpi, se trupi i një heroi po i kthehej Kosovës me nderime shtetërore, ndërsa nuk dihej asgjë në lidhje me vrasjen e këtij heroi.

As kush e ka vrarë, as kush e ka porositur, as kush e ka organizuar, kush ka pasur përgjegjësinë më të gjerë….

Asgjë! Asgjë zyrtarisht! E Kolonelit po i bëhen nderime zyrtare!

Dhe, do të mbyllesha diku brenda të mos më shoh dikush!

Se marre!

……..

Po të isha n’vendin e krerëve të LDK-së, do të më vinte turp të merrja pjesë në rivarrimin e Kolonelit Ahmet Krasniqi.

Dhe, a e dini pse?

E para, do të turpërohesha nga familja, shokët e dashamirët e heroit, dhe e dyta, do të tmerrohesha nga një gjë.

Do të frikohesha mos dikush nga familjarët, farefisi, shokët e vërtetë apo tekefundit ndonjë çun i pasherr afër meje, me shkujdesje do t’më pyeste:

– Pse po bëhej një nderim i tillë me rastin e rivarrimit të këtij heroi?
– Pse po e nderoja Ahmet Krasniqin?
– A besoja në rrugën e atij heroi?
– A kisha bërë diçka, diçka, diçka për zbulimin e vrasësve të Kolonel Krasniqit?
– A kisha bërë diçka, diçka, diçka për zbulimin e vrasësve të shokëve e bashkëmendimtarëve të Ahmet Krasniqit?
– A kisha bërë diçka, diçka, diçka që do të ishte sadopak në rrugën e lirisë, për të cilën ky hero ishte ekzekutuar?
– A kisha bërë diçka për drejtësi, drejtësi për rastin e tij dhe drejtësi për Kosovën?

Prapë, do të strukesha diku brenda dhe nuk do të dilja në rrezet e diellit, të më shoh dikush në këtë ditë pikëllimi.

Një ditë pikëllimi, jo për heroin Ahmet Krasniqi – se pêr heronjtë nuk ka pikëllim – por pikëllim për Kosovën.

Në duart e kujt ka mbetur!

Medet!