3 javë më parë

PLAZMA E MARRËVESHJES

PLAZMA E MARRËVESHJES

Prishtina reagon si zakonisht prej një ekstremi në tjetrin. Marrëveshjen e arritur në Uashington, njëra palë e prezanton si të jashtëzakonshme e historike, ndërsa të tjerët si të dëmshme e antikushtetuese. Një rregull që shpërfaq jo vetëm ndasitë e thella inatçore të politikës tonë, por edhe mungesën serioze të vizionit për “të notuar” sigurt në botën gjithnjë e më të trazuar të shekullit XXI.

Marrëveshja – historike jo, pasi e tillë do të ishte vetëm njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia – por edhe e dëmshme kurrsesi. Mbase i duhej Presidentit Trump para zgjedhjeve, por shumë më shumë na duhet neve si një strategji drejt zgjidhjes, normalizimit e zhvillimit. Marrëveshja është plazma e Marrëveshjes finale, është një hap që duhet ta ngushtojë skenën e lojës serbe me mitin e Kosovës, ta shtrëngojë shfrenimin shekullor të Serbisë dhe të zgjerojë shanset për të gjithë.

Shtëpia e Bardhë – simboli i superfuqisë botërore – e bën marrëveshjen më të rëndësishme, më imponuese ndaj marrëzisë serbe dhe më shpresëdhënëse për paqen ballkanike.

Politika nuk është “art i komunikimit” sipas dëshirave të publikut (u patëm qu peshë kundër Edi Ramës për mini – Shengenin), por as “art i së mundshmes” (njohjes nga Serbia), kur shtetin e trajtojmë ende me dilema dhe nuk e kemi etabluar si interes vital.

Njohja nga Izraeli është pika më e fortë, që e forcon pavarësinë dhe na rreshton më sigurtë në Botën e udhëhequr nga Amerika.

Ka edhe ndonjë ngatërresë siç janë pikëpyetjet lidhur me Ujmanin, por atje s’duhet lejuar kurrsesi dhe kjo është e mundshme kur ne t’i qasemi seriozisht megaprojekteve që ofron e mbështet Shtëpia e Bardhë.

AKTIV PRESS