Plaçkitjet e bankave trembin investitorët e huaj në Kosovë

2 javë më parë

Plaçkitjet e bankave trembin investitorët e huaj në Kosovë

Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) përmes një reagimi ka shprehur shqetësimet pas shpeshtimit të plaçkitjeve bankave. “Në sytë e investitorëve të huaj, këto plaçkitje po japin një bindje të paqëndrueshmërisë së rendit dhe sigurisë publike të vendit tonë, që do të thotë se dëmi më i madh po u shkaktohet shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, theksohet në një reagim.

Sektori bankar në Kosovë është një nga sektorët kryesorë me rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, si dhe për stabilitetin ekonomik dhe atë social të tij. Një sistem bankar i qëndrueshëm dhe i fuqishëm konsiderohet parakusht për rritjen e investimeve në vend si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Marrë parasysh rëndësinë e tij për ekonominë, jemi me fat që në Kosovë kemi një sistem shumë të fuqishëm dhe stabil bankar.

Por, për fat të keq, plaçkitjet e vazhdueshme të bankave, të cilat kohët e fundit janë bërë kërcënim për tërë sektorin dhe shoqërinë, kanë arritur përmasa alarmuese. Shqetësimi i sektorit bankar nuk përbën vetëm goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, por dëmtim të perceptimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi dhe grusht kundër të ardhmes së Kosovës.

Grabitjet dhe vjedhjet jo vetëm që po krijojnë një mjedis të pasigurt në sytë e qytetarëve, por edhe po ngrehin shqetësime rreth përdorimit të burimeve financiare të zhvatura në organizatat kriminale dhe aktivitetet e paligjshme. Nga ana tjetër, në sytë e investitorëve të huaj, këto plaçkitje po japin një bindje të paqëndrueshmërisë së rendit dhe sigurisë publike të vendit tonë, që do të thotë se dëmi më i madh po u shkaktohet shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Oda Tregtare Kosovaro Turke shpreh shqetësimin e katër bankave të cilat i përfaqëson, si dhe shqetësimin e tërë sektorit bankar lidhur me këtë fenomen. Ai përbën kërcënim jo vetëm për sektorin bankar por edhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të ardhmen e investimeve të huaja aq të nevojshme për vendin tonë.

Me këtë rast ne u bëjmë thirrje autoriteteve dhe politikanëve të vendit që të trajtojnë këtë çështje me ndjeshmëri dhe seriozitet, ndërsa ftojmë autoritetet publike dhe zbatuesit e ligjit që të marrin masa më të rrepta për të garantuar siguri më të madhe dhe stabilitet në vend, thuhet në fund të reagimit të OTKT-së.