“Piratët e Karaibeve” pushtojnë sallat e kinemave

3 vite më parë

“Piratët e Karaibeve” pushtojnë sallat e kinemave

“Të vdekurit nuk tregojnë përalla”, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për piratë që kërkojnë thesare mitike në thellësitë e pamata të detit, në episodin e pestë të “Piratët e Karaibeve” të “Disney”-t.

“Piratët e Karaibeve: Të vdekurit nuk tregojnë përralla” del në kinematë e botës duke filluar që nga kjo fundjavë, me Johny Depp që rikthehet me rolin e piratit grindavec, kapitenit Jack Sparrow, në një tjetër aventurë në mes të detit.

Depp, që ka pasur një vit të vështirë – kjo për shkak të divorcit nga bashkëshortja Amber Heard, por edhe pretendimeve dhe kundërpretendimeve për sjelljen e tij dhe stilin luksoz të jetesës, – nuk ka pranuar të japë intervista para shfaqjes së filmit, në Los Angeles.

Por pjesa tjetër e stafit, përfshirë aktorët dhe producentin e filmit, thonë se Depp është thelbi i serisë dhe, për sa kohë që ai do të jetë në bord, saga e “Piratëve të Karaibeve” nuk do të ketë fund të paracaktuar, shkruan Tch.

“Për sa kohë që audienca do të na shohë, ne do të jemi aty. Për sa kohë që Jonny Depp do të jetë pjesë e filmit dhe ‘Disney’ do ta financojë, do të kemi rikthime të tjera”, tha producenti Jerry Bruckheimer.

Seria e filmave ka mbledhur 3.7 miliardë dollarë që nga filmi i parë në vitin 2003, pavarësisht kritikave. “Të vdekurit nuk tregojnë përralla” pritet të mbledhë rreth 80 milionë dollarë në Amerikën e Veriut këtë fundjavë.