Piratët 2.0

8 muaj më parë

Piratët 2.0

Kosova bën pjesë në territorin e minierës nga e cila njerëz të lidhur me regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, prej vitesh kanë siguruar miliarda euro nëpërmjet “kredive të shpejta”, viktima të të cilave janë kryesisht qytetarë me të ardhura të vogla. Bizneset e katër letonëve, që kishin ideuar dhe nisur këtë formë përfitimi, janë shtrirë edhe në Shqipëri e Maqedoni.

“Monego” dhe “IuteCredit” janë pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të vëna jashtëligjshëm. Një dokument që ka siguruar gazeta tregon se në një rast në Kosovë ishte aplikuar normë interesi në lartësinë 1,987 për qind, shkruan sot “Koha Ditore”.

Veprimtaria e këtyre të dyjave është mbyllur në fundvit në Kosovë, por jo edhe e “Mogos”, që akoma lëshon kredi.

Të tria dhe 61 biznese të tjera të kësaj natyre veprojnë në 32 shtete. Që të gjitha janë nën kupolën e “Mintos”, e cila përmbledh një investim në hua prej 4.5 miliardë eurosh. Ajo e ka për themelues letonasin Aigars Kesenfelds, njeriun që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) figuron si aksionar i vetëm i “Monegos”, por i cili qëndron edhe pas “Mogos”. Është përfitues i fundit edhe i shumë bizneseve, ani se emri i tij nuk figuron si aksionar.