2 muaj më parë

“Ping-pongu” politik aktual nxjerr në shesh konceptet e kundërta për një shtet ligjor

“Ping-pongu” politik aktual nxjerr në shesh konceptet e kundërta për një shtet ligjor

Në skenën politike në vend është aktualizuar tej mase “pingpongu” politik, ndërmjet dy subjekteve të cilat tash e gjashtë muaj po bëjnë përpjekjeje për ta lidhur një koalicion të qëndrueshëm. Përballë kësaj situate edhe sytë e publikut janë drejtuar kah ky aktualitet, që me të drejt, dikush, ditë më parë, e krahasoi me legjendën e Kështjellës së Rozafatit. Ky krahasim vërtetë iu shkon partnerëve të cilët nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për ta lidhur një marrëveshje të qëndrueshme.

Në këtë situatë, diçka tashmë ka dalë në sipërfaqe, dhe nuk kërkon ndonjë aftësi për komentim. Në radhë të parë, në këto mosmarrëveshje duket se kanë gisht të fortë grupet e interesit ( para politike), të cilave nuk iu konvenon në asnjë mënyrë një shtet ligjor dhe për këtë ky përafrim ka mbetur peng i atyre interesave. Në anën tjetër, ka edhe inate personale e paragjykime të cilat vështirë tejkalohen, bashkë me vijat e kuqe të cilat po ashtu e bëjnë efektin e vet.

Pos kësaj, vërehen edhe përpjekje se kujt do t’i mbetet patatja e ngrohtë e fajtorit në duar për gjendjen momentale, apo edhe të atilla që për synim kanë bartjen e përçarjes, qoftë në njërën palë , qoftë në palën tjetër.

Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të saj, sikur lë përshtypjen e ngritjes së një kurthe për në përçarje, apo te një pengese për të mos përafruar palët. Kjo përshtypje u shtua edhe me rastin e kërkesës së fundit të LDK-së e cila para partnerit të saj për koalicion LV-së doli me propozimin fillestar , ku kërkohen pozitat e Presidentit, Kryeparlamentarit dhe pesë ministri. E kur kësaj i shtohet deklarata e liderit të LV-së se nuk ka kthim prapa, del qartë se dallimet ndërmjet dy subjekteve politike, jo vetëm që nuk po përafrohen, por ato po thellohen.

Veç kësaj, ishte LDK-ja ajo që ngriti gishtat për emërimin e Konjufcës për Kryeparlamentar, ndërsa është po ky subjekt që tash kërkon largimin e tij nga ky post. Ndoshta, ky veprim i LDK-së, siç u pa në letrën e Isës dërguar LV-së, doli si reagim i përplasjeve publike ndërmjet krerëve të LDK-së, Vjosë Osmanit dhe Agim Veliut, që po ashtu është një sinjal i dallimeve serioze në vet kreun e LDK-së, sa i përket marrëveshjes me LV-në.

E për ta hedhur topin te kreu i LV-së, LDK-ja u kthye në pozitat fillestare, me synim bartjen e përçarjes në kreun e LV-së.

Nga kjo që po shihet, palët janë tejet larg terrenit për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme. Kjo mos afri e ka bazën edhe te konceptet diametralisht të kundërta të programeve të tyre për fillimin e ndryshimeve në vend, për një shtet ligjor.

AktivPress