Përvjetori i daljes së parë publike të UÇK-së, i gjen liderët e saj prapa grilave në Hagë

2 muaj më parë

Përvjetori i daljes së parë publike të UÇK-së, i gjen liderët e saj prapa grilave në Hagë

Sot bëhen 23 vite prej kur Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

E ky përvjetor themeluesit e kësaj ushtrie i ka gjetur prapa grilave në paraburgim në Hagë, teksa të njëjtit janë duke u akuzuar për krime lufte e për krime kundër njerëzimit.

Në aktakuzën e ngritur pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të UÇK Kanë kryer krime të shumta ndaj kundërshtarëve, ndërsa UÇK-ja u cilësua si një “ndërmarrje e përbashkët kriminale që kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Përveç ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, teksa në dhomat e paraburgimit në HGgë janë duke qëndruar edhe krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Daljes së parë publike të UÇK-së i kanë parapri luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën, duke lënë të vrarë dhe të plagosur.

Të nesërmen me 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në ketë fshatë, ku UÇK-ja prapë i sulmoi dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën duke lënë prapa të vrarë dhe të vdekur.

Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë UÇK, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe më 28 nëntor 1997.

Në këtë ceremoni varrimi, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, u bë dalja e parë publike e UÇK-së. /Express/