Përurohet ura e re në Xhenova

3 muaj më parë

Përurohet ura e re në Xhenova

Ura autostradë e Xhenovës Morandi u kthye në simbol të infrastrukturës së konsumuar për Italinë. Ura e re San-Giorgio tani në vend të saj dëshmon për potencialin e Italisë.


“Ne kemi punuar pa pushim: 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, tha një menaxher i sipërmarrjes së ndërtimit Webuild. “Dita e vetme, në të cilën u mbyll kantieri i ndërtimit ishte për Krishtlindje.” Edhe në fazën më të keqe të pandemisë Corona punimet e ndërtimit vazhduan me kapacitet të plotë. Tani qyteti port feston përurimin e bashkë me të feston edhe Italia.

Më 14 gusht 2018 pjesë të urës Morandi gati 1200 metra të gjatë mjaft të frekuentuar si aks kryesor i qarkullimit në Xhenova u rrëzuan papritur. Makina dhe kamionë që ishin duke udhëtuar mbi të ranë në thellësi, 43 vetë humbën jetën si pasojë. Shumë banorëve iu desh të largohen nga shtëpitë në afërsi të urës dhe qysh nga ajo kohë u bllokua edhe autostrada e rëndësishme A10.

Vetëm përpara 13 muajsh u bë shpërthimi i konstruktit të mbetur të urës Morandi më 28 qershor 2019. Pak javë pas këtij kolapsi arkitekti i njohur Renzo Piano paraqiti idenë e parë në qytetin e tij për ndërtimin e urës së re. Shumë shpejt u çmontuan dhe ato pak pjesë të mbetura të urës Morandi, por edhe disa shtëpi u desh të prisheshin. Më 2019 nisi rindërtimi. “Ne e ndërtuam urën brenda vitit, është e vërtetë që ndërtimi i një urë të tillë normalisht do të kishte zgjatur me vite”, thotë me gëzim për gazetën „La Republika” arkitekti 82 vjeçar Piano.

Rëzimi i urës në Xhenova u ngulit si një katastrofë kombëtare në kujtesën e Italisë për shkak të përmasave të saj. Dhimbja prej katastrofës ishte e madhe. Tani fillimi i ri duhet të rrezatojë pozitivisht. Ura “Ponte San Giorgio” mban emrin e shenjtorit mbrojtës të qytetit. Në ceremoninë e inagurimit (03.08) ishin rreth 500 të ftuar, ndër ta edhe personalitete nga politika, kisha dhe shoqëria. Presidenti Sergio Mattarella ishte i pranishëm e po ashtu edhe kryeministri Giuseppe Conte, i cili e shpalli Xhenovën si shembullin e shkëlqyer të një fillimi të ri për mbarë Italinë pas pandemisë vdekjeprurëse Corona.

Një javë përpara inagurimit u mbajt një koncert pranë urës së re San Giorgio. Shumë nga të afërmit e viktimave i qendruan larg festës. Për ta në plan të parë është përkujtimi ndaj atyre që humbën jetën prej katastrofës./DW/