Përleshje në Holandë pas shtyrjes së masave të izolimit

1 muaj më parë

Përleshje në Holandë pas shtyrjes së masave të izolimit

Në dy qytete holandeze është raportuar për përshkallëzim të situatës, pas protestave të mbajtura më 24 janar, në të cilat janë kundërshtuar masat e reja të izolimit me qëllim të luftimit të koronavirusit.

Zjarret janë ndezur në qendër të qytetit jugor holandez, Eindhoven, ku qindra persona kanë gjuajtur me gurë policinë.

Zyrtarët janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji, si dhe kanë arrestuar dhjetëra persona.

Një protestë kundër masave të kufizimit është mbajtur edhe në Amsterdam, ku policia ka përdorur topa uji për të shpërndarë turmën.

Policia ka njoftuar se mbi 100 persona janë arrestuar në kryeqytetin holandez.

Trazirat kanë ndodhur një ditë pasi një qendre testimi për koronavirus i është vënë flaka në fshatin Urk.

Ministri holandez i Drejtësisë, Ferd Grapperhaus, ka dënuar dhunën, duke thënë se kjo situatë nuk ka të bëjë asgjë me protestat kundër masave për koronavirus.

“Kjo është thjesht sjellje kriminale; njerëzit që shënjestrojnë qëllimshëm policinë, gazetarët dhe punëtorët tjerë shëndetësorë”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Holanda do të vazhdojë të zbatojë masa të ashpra të izolimit deri të paktën më 9 shkurt./REL