Përgjigjja e Qunit kur Musliu i thotë të japë dorëheqje se i futi në burg Thaçin e Veselin

2 muaj më parë

Përgjigjja e Qunit kur Musliu i thotë të japë dorëheqje se i futi në burg Thaçin e Veselin

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, është pyetur se pse nuk po jep dorëheqje nga politika, tani kur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ia ka kujtuar ministrit deklaratën e para disa viteve kur Quni kishte thënë se qëndron në politikë derisa t’i shohë Thaçin e Veselin prapa grilave.

“Kur do të jepni dorëheqje pasi është përmbushur misioni juaj politik”, ka pyetur Musliu.

Në replikë, ministri Quni ka thënë se do ta presë epilogun e procesit gjyqësor kundër Thaçit dhe Veselit për të marrë vendim lidhur me dorëheqjen.

“Besoj që, përkundër asaj që jam ministër i Mbrojtjes, nuk e humbi të drejtën të kem edhe qëndrime personale. Sa i përket deklaratës time që pasi t’i shoh prapa grilave të apostrofuarit, presim epilogun. Pastaj do të marr vendim edhe unë”, tha Quni.

Në një seancë të Kuvendit në maj të vitit 2017, atëherë si deputet, Anton Quni kishte qenë tejet i ashpër karshi kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Kadri Veseli. Quni kishte thënë se do të vazhdojë të jetë deputet derisa t’i shohë Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin prapa grilave. Ai kishte thënë se Veseli vjen nga një formacion shumë i dyshimtë dhe formacion për të cilin duhet të japë përgjegjësi para qytetarëve.

“Isha në mendime të tërhiqem nga jeta politike pas këtij mandati. Por kur e shoh këtë hipokrizi të njerëzve që i njoh nga lufta, nga vijat e frontit dhe e di se në disa situata kanë dështuar… Para publikut paraqiten si heronj e janë frikacakë. Këta janë njerëz që të lënë në gjysmë të rrugës. Sot mundem me u ndi fitimtar. Por z. Veseli, z. Thaçi, ju jeni arsyeja që më bëni të qëndroj në këtë parlament. Për të gjitha ato që keni bërë, po më detyroni të qëndroj derisa t’ju shoh prapa grilave”, kishte thënë Quni. /Express