Përfundon festivali “I këndojmë lirisë” në Klinë

3 vite më parë

Përfundon festivali “I këndojmë lirisë” në Klinë

Shoqëria Kulturo Artistike “Drenica” nga Skënderaj, ka fituar çmimin kryesor në edicionin e 17-të të Festivalit folklorik “I këndojmë Lirisë” çmimin “Mujë Krasniqi”.

Kjo Shoqëri nga Skenderaj më këngët dhe vallet më të cilat u paraqitën para publikut dëshmuan edhe njëherë nivelin e lartë artistike profesional të këtij ansambli, duke bërë për vete spektatorët e shumtë që kishin ardhur për ta përcjellë natën e dytë të festivalit.

Festivali Folklorik “ I këndojmë lirisë”, i cili i kushtohet ditëlindjes së Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi- Kapuçi, nga fshati Çabiq i Komunës së Klinës është mbajtur në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës,  Sokol Bashota më 6, 7 dhe 8 qershor.

Në hapje të festivalit, në Qabiq, kryetari Bashota, tha se po bëhen 17 vite jetë të këtij festivali, derisa janë plot 10 vite që unë përkujdesëm për mbarëvajtjen e këtij festivali i cili në komunën e Klinës sjellë thesarin e folklorit tonë burimore.

Sipas tij, festivali lartëson vlerën e lirisë , të luftës, dhe të artit tonë kombëtarë, që na lanë amanet të parët tanë , si mësimin dhe kujtimin më të mirë për tu edukuar në frymën e traditës dhe të flijimit për gjerat më të shenjta dhe më të shtrenjta , siç janë Atdheu dhe Liria.

Qyteti i Klinës edhe sivjet, si në çdo qershor që 17 vjet, ishte vendtubim dhe vendtakim i artdashësve të folklorit burimor shqiptar të të gjitha trojeve etnike. Morën pjesë, instrumentistë, valltarë, grupe, rapsodë e këngëtarë, si dhe qytetarë, jo vetëm të lokaliteteve të Komunës së Klinës, por edhe nga e gjithë Kosova, Shqipëria, Tetova, Presheva, Medvexha, Malësia, e viset tjera ku ka shqiptarë, po ashtu edhe nga diaspora. Për tri ditë me radhë, më 6, 7 e 8 qershor, iu këndua, lirisë, pavarësisë, trimërisë heroike të luftëtarëve të UÇK-së e Komandantit të shquar të saj, Mujë Krasniqit- Kapuçit, ku në skenën e hapur të Festivalit, u paraqitën 700 artistë popullor.
ÇMIMET E FESTIVALIT “I KËNDOJMË LIRISË”- 2017

1. Çmimi “ Mujë Krasniqi”, SHKA “ Drenica” – Skenderaj

2. Vendi i dytë, SHKA “ Shotë Galica” Drenas

3. Vendi i tretë, SHKA “ Shqiponja Saraj” – Shkup

4. Çmimi i Publikut: Ansambli “ Trade Folk” – Tiranë

5. Veterani i Festivalit, rapsodi Islam Hasi – nga SHKA “ Shqiponja e Dukagjinit”- Gjakovë

6. Instrumentisti më i mirë, Afrim Leka- Gjilan

7. Interpretuesi më i mirë: Jeton Fetiu nga Ansambli “ Lahuta e Malësisë” – Gjilan

8. Valltari më i mirë: Mendim Jashari, Erlinda Zymeri

9. Grupi më i mirë i rapsodëve: Grupi “ Jusuf Gervalla” Deqan

10. Dueti më i mirë: Përparim Brati dhe Hamit Kastrati nga SHKA “ Hasi” Krumë e Hasit.

11. Zëri më i mirë i Festivalit: Selajdin Miftari nga SHKA “ Shqiponja Saraj” Shkup

12. Veshja më autentike: Ansambli “ Narta” nga Vlora

13. Orkestra më e mirë: Qendra e Kulturës Burrel Shqipëri

14. Ansambli më i kompletuar: SHKA “ Muharrem e Xhevat Qena” , Ramajë

15. Vallja më e mirë koreografike: SHKA “ Mitrovica” nga Mitrovica./AktivPress