Për tre vjet vetëm një kompani fitoi statusin e investitorit strategjik

1 muaj më parë

Për tre vjet vetëm një kompani fitoi statusin e investitorit strategjik

Ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka ndikuar që për tre vjet vetëm një kompani të fitojë statusin e investitorit strategjik. Ndërkohë, 30 kompani të tjera me vite janë në pritje të shqyrtimit të aplikacioneve të tyre.

Kjo zvarritje, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, ndikon që vetë ideja e biznesit të humbasë rëndësinë.

“Ne nga viti 2017 deri më tani kemi pasur 3 qeveri, 3 kryeministra dhe paramendo si ndikon kjo edhe në drejtimin që administrata publike duhet ta ketë edhe në caktimin e prioriteteve në shqyrtimin e atyre aplikacioneve. Janë një sërë elementesh në këtë farë rrëmuje që ka ndodhur e që pastaj të mos kemi më shumë investitorë strategjikë të aprovuara”.

Ligji për Investime Strategjike ka hyrë në fuqi në 2017 me qëllim të tërheqjes së investitorëve të huaj dhe atyre të brendshëm.

Vonesat në trajtim të aplikacioneve i pranon edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, që thotë se kjo ka ndodhur shkaku i vakumeve institucionale.

“Që në javën e parë kam bërë kërkesën te kryeministri Hoti për me e formuar komisionin ndërministror, dhe është formuar dhe nga ajo ditë ne 12 kërkesa veç i kemi trajtuar dhe disa janë në procedura”, ka theksuar ai.

Megjithatë, kur kanë mbetur më pak se tre muaj që Ligjit për investime strategjike t’i skadojë afati, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon që përmes ndryshimeve ligjor afati të zgjatet për pesë vjet.

Ajo po parasheh që të ndryshojë edhe shumat për investime që janë kriter për të fituar një status të tillë, i cili më pas parasheh disa lehtësira për këto biznese investuese. Me ndryshime po synohet edhe ulja e pragut për ata që synojnë të marrin statusin e investitorit strategjik.

Por, sipas Zekës, çfarëdo ndryshimi i shpeshtë i ligjeve ndikon në rritjen e pasigurisë politike të të bërit biznes.

Ndërkohë, në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se potenciali i investimeve të huaja direkte dhe rritja ekonomike në Kosovë janë të kufizuara nga korrupsioni, paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrja në ekonomi, sundimi i paqartë i ligjit e të tjera.

Shkaku i këtyre, por edhe arsyeve të tjera, investimet e huaja në Kosovë ndër vite kanë shënuar rënie. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja në Kosovë shënuan rënie vjetore prej 16.3 për qind në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017.

Por, ato gjatë vitit 2019 arritën vlerën prej 272 milionë eurove, ku rreth 90 për qind e tyre u evidentua në sektorin e patundshmërive./KOHA