5 muaj më parë

Për shqipen tonë, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Për shqipen tonë, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Sot, më 21 shkurt, është Dita Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare (në anglisht International Mother Language Day).

Ideja për shënimin e kësaj dite, të cilën e kanë përqafuar UNESCO-ja dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ka qenë nismë e Bangladeshit. Shënohet, dikund edhe festohet, nga viti 2000.

Viti 2008 qe shpallur Vit Ndërkombëtar i Gjuhëve, kurse viti 2019 është shpallur Vit Ndërkombëtar i Gjuhëve Indigjene. Gjuhët indigjene, shumë syresh e kanë ekzistencën e rrezikuar, përbëjnë shumicën e gjuhëve, nja 6000 deri 7000. As që dihet sa janë saktësisht sot.

Simbas UNESCO-s, agjencisë që OKB-ja ka ngarkuar me detyrë të shënojë vitin e gjuhëve indigjene sivjet, rreth 97% e popullsisë së globit flet vetëm 4% të gjuhëve të botës, ndërsa vetëm 3% e botës flet 96% të gjuhëve të tjera. Me shpejtësi marramendëse po shuhen gjuhët indigjene. Edhe gjuhët e vogla janë në rrezik, kryesisht prej globalizimit.

Le t’i kthehemi gjuhës sonë shqipe në përdorim publik e të përditshëm.

Shqipja është shkruar relativisht vonë. Është mësuar në shkolla edhe më vonë, në Shqipëri, në Kosovë e në trevat e tjera shqiptare. Në rrafsh të statusit zyrtar, shqipja punët i ka më mirë se gjithëherë.

Po ta shohësh punën e përdorimit të shqipes në sferën publike do të vësh re mungesë kulture gjuhësore kudo, jo vetëm në gjirin e politikanëve të kudondodhur në foltore, në media. Janë këta dhe shumë të tjerë që shkolla formale kanë bërë, diploma kanë marrë, por gjuhën e kanë të varfër.

Fjalori i tyre në ligjërimin publik është i kufizuar, jo vetëm klisheik por edhe banal here-herë. Mund të mburren më së shumti me fjalorthin e tyre. (S’do të flas për shkrimet e rralla, që ua shkruajnë të tjerët, nëpunës e këshilltarë me pagë nga buxheti i shtetit. Nganjëherë e kanë vështirë t’i lexojnë këta që marrin autorësinë e tyre.)

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në të gjitha ditët e gjuhës amtare, do të doja që shqiptarët ta përdorin gjuhën amtare me dashuri e kujdes në komunikim publik e të përditshëm, edhe në facebook e mjete të tjera sociale.

Qoftë nga përtacia, apo padija e folësve (shkruesve) të gjuhës shqipe, më bie të shoh shprehje ndjenjash e situatash jetësore të tyre në anglisht, jo rrallë qesharake, si ta zëmë, filan fisteku “is eating coffee”, që shoqërohet shpesh me një fotografi rasti.

Kafja pihet, nuk hahet, as në shqip as në anglisht, përveç nëse njeriu vendos të hajë kokrrat e kafesë!

Sot e mot: rrnoftë gjuha shqipe!