”Për shkak të disa dritë-shkurtëve në Prishtinë, po i bëjmë vetes atë që asnjë armik nuk do t’na bënte”

1 muaj më parë

”Për shkak të disa dritë-shkurtëve në Prishtinë, po i bëjmë vetes atë që asnjë armik nuk do t’na bënte”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur për efeketet e takimit që ai zhvilloi në Moskë me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov.

Rama u shpreh për Zona B se me Lavrov, diskutuan tema të nxehta që kanë interes edhe për Shqipërinë, siç është Kosova, njofton Klan Kosova.

”Nuk mund të presësh që në një takim sado i suksesshëm të jetë, të ketë ndryshime të dukshme, por e rëndësishme është që të ketë një sensibilitet në aspektin e dëgjimit mes palëve, dhe mendoj që ky sensibilitet ishte”.

”Ne jemi në një pozicion shumë delikat si shqiptarë”.

Ai kritikoi pushtetarët në Prishtinë, duke thënë se ata janë dritë-shkurtër, pasi nuk mbështesin dialogun Kosovë – Serbi.

”Po flasim për Kosovën dhe Serbinë, ku ne për shkak të disa dritë-shkurtërve në Prishtinë, po i bëjmë vetes atë që asnjë armik i organizuar nuk do të na bënte dot duke u vetëmbyllur dhe duke u vetëngurtësuar ndërkohë që ne kemi disavantazhe të mëdha objektive të cilat do të na shtyjnë drejtë qenies ne, më të interesuarit për dialogun”.

”Të qenies ne më të interesuarit për të hapur zonën e ndërveprimit me palën tjetër me Serbinë, pse? – për një arsye shumë të thjeshtë: Serbia e ka humbur luftën, shqiptarët e kanë fituar”.

”Është përgjegjësia e atyre që në Prishtinë e kanë përdorur luftën për të minuar paqen në funksion të pushtetit të tyre që kanë bërë që Serbia gjithmonë e më shumë të viktimizohet në sytë e të tjerëve dhe të shes kudo tregimin e saj: ”që ne duam të zgjidhim këtë punë , shiko ne duam paqe por shih se çka na bëjnë ata”.

A shihet ky viktimizim i Serbisë edhe në Moskë?

”Në Moskë nuk ka nevojë fare për këtë sepse Moska qysh në ditën e parë e ka parë Serbinë si viktimë, ndërkohë që Serbia ka qenë agresori nuk ka qenë viktima. Por fatkeqësia është që ky viktimizim ka filluar prej kohësh të ndjehet dhe të pranohet në ato kancelari, që janë aleatë të shqiptarëve të Kosovës”.

Ai tha se kushdo që nuk do dialogun mes Kosovës e Serbisë, po ndjek në fakt një strategji tragjike, duke nënvizuar se shqiptarët duhet të dëgjojnë Amerikën në disa politika të drejta.

”Kjo është një tragjedi nga pamja strategjike, dhe shpresoj që do të korrigjohet në radhë të parë kjo trajektore, sepse ideja që shqiptarët mund të sfidojnë edhe miqtë e tyre, mund të sfidojnë edhe partnerët e tyre, mund të bëjnë edhe kokë-derrin kur vjen puna për të refuzuar zërin e arsyes së partnerëve më të mëdhenjë dhe kjo mund të ju sjellë atyre benefite në të ardhmen, është ide vetëvrasëse”.

”Ne jemi sot në kushtet që realisht nuk e kemi pasur me shekuj, të vendosim vet”.

”Shqipëria përmes nesh ka këtë pozicion në funksion të kryesimit të OSBE-së. Me faktin që ne arrijmë të sjellim jo thjeshtë zërin e një organizate kaq të madhe por edhe qëndrime parimore, që lidhen me përkatësinë tonë euroatlantike”.

”Është një arsye e fortë për të reflektuar dhe për tmos e lë këtë vit të iki thjeshtë vetëm si shenjim në rrugën e arritjeve të partisë socialiste të Qeverisë së sotme në Shqipëri apo timen por ta shfrytëzojmë me shumë inteligjencë për t’ju dhënë shqiptarëve një aset të ri edhe më tutje, dhe për të kuptuar që në fund të ditës ne mund të kemi shumë arsye të mos biem dakord me njëri tjetrin me politikë të brendshme, por duhet të biem dakord për faktin që këto mos dakordësi të mos cenojnë vizionin strategjik për Shqipërinë, Kosovën e gjithë shqiptarinë në hapësirën e Ballkanit”.