4 vite më parë

Për radion si komunikim i dobishëm

Për radion si komunikim i dobishëm

Shoqëruese dhe tërheqëse, edhe pse me ndikimin e zbehur, radio ruan vendin e konsoliduar në peizazhin mediatik të transformuar. Ajo mbetet media që të gjen dhe arrin të të tërheq, me veçorinë tradicionale që të të ofrojë shoqëri duke të të mos penguar në aktivitetet e përditshme.

Me karakteristikën e ndërmjetëses së shpejtë dhe të dobishme, ajo lehtëson mënyrën e funksionimit të njeriut të shekullit XXI, që dinamika i përcakton nevojën e kryerjes së disa roleve njëkohësisht. Ajo ka lindur si nevojë për komunikim dhe ky element favorizues i jep kahe rrugës së saj në transformimin e radhës, të kushtëzuar nga “revolucioni dixhital”.

Përtej statistikave dekurajuese për rënien e rolit si media informative, radio ruan kapacitetin për shndërrimin e informacionit në komunikim të dobishëm dhe me vlerë të shtuar. Rëndësia e informacionit të shpejtë dhe lehtësisht të kuptueshëm, transformohet në peshën që ka përmbajtja e dobishme dhe e dallueshme në mjedisin shoqëror të mbingarkuar me informacione të çfarëdoshme. Radio ka tejkaluar prej kohësh pragun e medias së lajmit dhe përcjelljes së mesazheve.

Me mundësinë e ofrimit të përmbajtjes si bashkëprodhim me qytetarët, ajo është shndërruar në media me funksionin primar tërheqjen dhe përfshirjen në procesin e komunikimit edhe të kategorive pa interes të veçantë për t’u bërë pjesë e produktit mediatik.

Radio është vjetruar vetëm si kanal për përcjelljen lineare të mesazheve, sipas modelit se media e di se për çfarë ka nevojë audienca. Në epokën e shumëfishimit të kanaleve dhe mundësive për shpërndarjen e informacionit, vlera e shtuar e radios buron nga specifika e saj për ndërtimin e komunikimit mbi elementin e afërsisë me dëgjuesin dhe rëndësinë që i jep atij.

Niveli i ri në të cilin e ka sjell radion kombinimi i avancimit teknologjik dhe përmbajtjes së gjeneruar në bashkëpunim me dëgjuesin, e ka bërë atë media që flet me dëgjuesin e jo kanal që u flet të tjerëve dhe pret që ata ta pranojnë si të tillë.

Radio as nuk ka “dal mode”, as nuk ka kaluar në media që vetëm mësohet në histori gazetarie. Vetëm se të bërit radio dhe gazetari të radios, kërkon përshtatjen me trendin dhe platformat e reja. Në thelbin e saj, radio përmban e përcjell parimet dhe vlerat bazike të të bërit media dhe gazetari, si elemente vendimtare në procesin e transformimit të radhës.

Vlerësimet për nevojën e “arkivimit” të saj si media, janë arsyetim i dobët krahasuar me mundësitë e saj për t’iu përshtatur realiteteve të reja mediatike. Por, përshtatja nënkupton seleksionimin cilësor të vlerave të saj si media dhe profilit të bartësve të radiogazetarisë. Jo teknologjitë dhe ndryshimet objektive, por degradimi profesional rrezikon mbijetesën e secilës media.

Bërja, apo përgjigja në pyetjen: “përse pikërisht radio dhe në radio?”, njëjtë si në cilëndo media, bëjnë ndarjen e madhe ndërmjet njerëzve të medias, edhe radios, dhe atyre për të cilët mediat, sërish edhe radio, paraqesin objektin e jo subjektin në karrierën profesionale.