9 muaj më parë

Për mësuesin e dinjitetshëm që politikanët e futën në thes me matrapazin

Për mësuesin e dinjitetshëm që politikanët e futën në thes me matrapazin

Nuk di nëse ka qenë e planifikuar qëllimisht apo thjeshtë ka rastisur që politikanët kosovarë të debatojnë brenda “tempullit të demokracisë” për gjendjen në arsim, pikërisht në Ditën e Mësuesit. Halli i tyre është se Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsim dhe tash bëhen kinse po ngarendin për ta gjetur fajtorin. Dikush e akuzon ministrin e Arsimit, dikush kryeministrin, e këta dy së bashku i akuzojnë partitë që më herët kanë qenë në pushtet për politizimin e një agjencie, që parimisht do duhej të ishte plotësisht e pavarur.

E vërteta është se të gjithë kanë të drejtë në akuzat që bëjnë- që i bije se të gjithë janë fajtorë për gjendjen e mjerueshme në arsim. Si bashkëfajtorë përpiqen ta luajnë rolin e “engjëjve mbrojtës” të studentëve e të dijës në përgjithësi, dhe i shmangen skajshmërisht përgjegjësisë që e kanë kthyer arsimin në biznes dhe e kontrollojnë në mënyrën më të vrazhdë sistemin e tij. Jo më kot, sot shefi i Qeverisë ngreh dyshime që një ish-anëtar i bordit të shkarkuar të AKA-s mund t’i ketë blerë deputetët, sikundër që i dyshuari, muaj më parë kishte kritikuar Qeverinë që po i lejon kolegjet private të shndërrohen në “biznese qebaptorësh”.

E gjithë kjo është vetëm një tablo, në mesin e tablove të tjera që kompletojnë skenarin e dramës në arsim. Askush nga deputetët e as nga ministrat, nuk flet për gjenezën e shkatërrimit të sistemit arsimor. Askush nuk i zë në gojë shitësit e diplomave, sikundër që nuk i zë në gojë as falsifikatorët, ata që kanë blerë diploma, e që sot i kapin ditarët dhe mësyjnë klasat për t’u shpërndarë “dituri” brezave të rinj. E nxënësit fatkeq, pos që i nderojnë në ditën e veçantë, janë të detyruar t’i dëgjojnë gjithë kohës leksionet e tyre. Detyrohen t’u përgjigjen atyre që as vetë nuk e dinë as nuk e kuptojnë atë që thonë. Janë të detyruar sepse shteti ua ka mundësuar të punojnë e veprojnë lirshëm pa drojën se mund të përfundojnë në pranga. Prokuroria ua ka parashkruar lëndët me arsyetimin se janë vjetruar, ndërsa Ministria e Arsimit ua ka përligjur diplomat false. I kanë lënë të bëjnë krim mbi gjeneratat.

Dënim individual nuk ka marr askush deri më sot, por bashkërisht po e vuajmë dënimin kolektiv. Si shoqëri jemi bërë robër të injorantëve, të atyre që s’dinë të shkruajnë as të lexojnë si duhet, por që mrekullisht dinë të vjedhin e të pasurohen për vete e për rrethin e ngushtë. Njësoj si komandantët që e kanë futur ushtarin e devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një thes me mashtruesin, politikanët e kanë futur mësuesin e dinjitetshëm në një thes me falsifikatorin e matrapazin.

Në këtë mes, një pjesë të përgjegjësisë për rritjen e masës së injorancës e bartin edhe gazetarët. Siç thoshte kohë më parë kolumnisti i New York Times, Nikolas Kristof, “ne që merremi me gazetari meritojmë që t’i kemi ‘këmbët mbi zjarr’. Ne bëjmë gabime gjithë kohën, dhe shumë shpesh jemi sipërfaqësorë, sensacionalistë, të padrejtë, mbrojtës apo të zbavitur prej objekteve të shkëlqyeshme. Kështu të gjithë bashkë sillemi në uraganin e injorancës. E uragani nuk shkakton pasoja në mënyrë përzgjedhëse. Prej tij, pësojnë të gjithë, pa përjashtim!

Vërtet, pasojat po i ndjejmë secilën herë me shumë. Kemi mbetur të izoluar dhe s’bëjmë gjë tjetër pos që ankohemi e vajtojmë. Se sa mund të ecë përpara një shoqëri me këtë qasje, përgjigja është më se evidente. Pa dalë nga uragani i injorancës; pa ua “kthyer dorën” atyre që t’i nxjerrin sytë kur i demaskon të këqijtë dhe e pa luftuar për t’ia kthyer dinjitetin jo vetëm mësuesit por secilit në profesionin tij, do të mbesim njollë e zezë e kontinentit të vjetër.