Për herë të parë një ushtare u bashkohet Beretave të Gjelbra të ushtrisë amerikane

4 javë më parë

Për herë të parë një ushtare u bashkohet Beretave të Gjelbra të ushtrisë amerikane

Një ushtare për herë të parë do të bashkohet me Beretat e Gjelbra, njërën prej njësive më elite të ushtrisë amerikane. Ajo ka diplomuar këtë javë, pasi ka përfunduar trajnimin për forcat speciale të ushtrisë amerikane.

Sipas njoftimit të ushtrisë, ushtarja ka diplomuar të enjten në një ceremoni të organizuar duke respektuar masat ndaj COVID-19. Ushtria nuk ka zbuluar emrin e ushtares, për të ruajtur identitetin e saj për misionet e së ardhmes.

Në fjalimin në ceremoni, gjenerali Fran Beaudette, udhëheqës i Komandës së Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, u është referuar të diplomuarve si “burra dhe gra të Beretave të Gjelbra”.

Dhe për herë të parë që nga themelimi zyrtar i Forcave Speciale në vitin 1950, kjo ishte e vërtetë, raporton CNN.

“Nga këtu ju do të vazhdoni para dhe do të bashkoheni në formacionet e Beretave të Gjelbra. Do të bëni atë për të cilën jeni trajnuar, do të arrini të pamundurën”, ka thënë Beaudette.

Beretat e Gjelbra është njëra prej njësive të fundit të ushtrisë që ka në përbërje vetëm meshkuj. Ushtarja do të jetë e para në Beretat e Gjelbra, por ajo nuk është e para që ka diplomuar në Forcat Speciale. Kapitenia Kate Wilder nuk ishte lejuar të diplomonte në vitin 1980. Ajo bëri ankesë për diskriminim dhe vitin tjetër iu dorëzua certifikata e diplomimit. Ajo asnjëherë nuk u bë pjesë e Beretave të Gjelbra, ndonëse qëndroi në Forcat Speciale deri në pensionim, në vitin 2013.