Për herë të dytë dështon procesi i votimit të pesë marrëveshjeve ndërkombëtare

3 muaj më parë

Për herë të dytë dështon procesi i votimit të pesë marrëveshjeve ndërkombëtare

Për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend nuk kanë kaluar pesë marrëveshjet ndërkombëtare.

Për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve do të duhej të ishin mbi 80 vota të deputetëve, ndërsa në votim merrnin pjesë vetëm 75 deputetë.

Deputetët nga VV-ja nuk kanë marrë pjesë fare në votim, ndërsa ata të PDK-së kanë votuar pro marrëveshjeve.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje deputetëve që ta amandamentojnë Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe ta mundësojnë votimin online, pasi moskalimi i këtyre marrëveshjeve i dëmton qytetarët dhe bizneset.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se këto marrëveshje do të shtyhen për seancën e radhës./EO/AktivPress/

Në rend dite ishin këto marrëveshje:

Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.