Për 7 vjet, Morata i ndërroi 4 klube për një shumë të përgjithshme prej 205 mln eurosh

1 muaj më parë

Për 7 vjet, Morata i ndërroi 4 klube për një shumë të përgjithshme prej 205 mln eurosh

Me huazimin nga Atletico Madridi në Juventus këtë verë, Alvaro Morata do ta kalojë shifrën e përgjithshme të transferimeve prej 200 milionë euro.

Në shtatë vjetët e fundit, Alvaro Morata ka ndërruar ambient plot pesë herë dhe kostoja e transferimeve të tij nga një klub në tjetrin, e arrin shifrën prej 205 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi spanjoll do t’i bashkohet ish-klubit të vet në Torino për 10 milionë euro për një vjet huazim nga Atletico Madridi.

Kalimi i tij në Serie A këtë verë nënkupton se 27-vjeçari nuk ka qëndruar në një klub të vetëm më gjatë se dy sezone.

Morata u fut në ekipin e parë të Real Madridit në sezonin 2012/13 dhe qëndroi në ekipin e Carlo Ancelottit edhe sezonin pasues, po ashtu.

Në verën e vitit 2014, ai iu bashkua Juventusit për 20 milionë euro, por marrëveshja mes Realit dhe Juves e lejonte gjigantin spanjoll ta riblente atë.

Reali i shfrytëzoi këtë të drejtë dhe e ribleu Moratan për 30 milionë euro dy vjet më vonë dhe ai u kthye në Santiago Bernabeu më 2016.

Pavarësisht se e formoi një partneritet sulmi me Cristiano Ronaldon dhe Karim Benzeman, Morata vendosi t’i bashkohet Chelseat vetëm një vit më vonë, në verën e 2017-s, për një shumë të majme parash prej 80 milionë eurosh.

Por sulmuesi spanjoll nuk u përshtat në Premierligë dhe, pas vetëm 18 muajve, u rikthye në La Liga duke iu bashkuar Atleticos në huazim.

Pasi huazimi 18-mujor i mbaroi, Atletico e bleu Moratan për 65 milionë euro.

Por vetëm pak javë pasi u bë lojtar permanent i Atleticos, Morata vendosi t’i bashkohet Juventusit të Andrea Pirlos.

Juve do t’i paguajë 10 milionë euro për ta huazuar atë për një vit, që nënkupton se shuma e përgjithshme e transferimeve të tij e kap shifrën 205 milionë euro. /Gazeta Express/