Pentagoni jep shifra të reja të trupave në Irak dhe Siri

12 muaj më parë

Pentagoni jep shifra të reja të trupave në Irak dhe Siri

Pentagoni thotë se janë afërsisht 2,000 trupa amerikane në Siri, katërfishi i numrit që zyrtarët amerikanë kanë pranuar deri tani.

Shifra pasqyron një urdhër të Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis për të rishikuar sesi Pentagoni llogarit numrin e personelit të dislokuar për të kryer operacionet madhore në Irak dhe Siri. Shifra e re nuk do të thotë se janë dislokuar trupa shtesë, por tregon një pasaktësi të madhe në shifrat e dhëna më parë.

Numri i rishikuar i trupave amerikane në Irak mbetet i njëjtë si më parë, rreth 5,200, ndonëse zëdhënësi i Pentagonit Robert Manning tha se numri i forcave amerikane është gjithashtu në rënie.

“Ne shpresojmë që kjo prirje të vazhdojë,” tha ai.

Sipas zëdhënësit të Pentagonit Eric Pahon, shifrat e reja ende përjashtojnë misionet e ndjeshme dhe llojet e caktuara të personelit, si personeli i sigurisë i bashkangjitur në ambasadën e SHBA në Irak.

Departamenti i Mbrojtjes dha një rishikim të ngjashëm për numrin e trupave në Afganistan në gusht, duke ndryshuar numrin e pranuar të trupave nga rreth 8,400 trupa në 11,000 trupa./voa