“Pasi ta zgjedhim kryetarin e LDK-së, ia tregojmë vendin PAN-it “

3 muaj më parë

“Pasi ta zgjedhim kryetarin e LDK-së, ia tregojmë vendin PAN-it “

Në zgjedhjet e fundit lokale, Lutfi Haziri, ia ka rikthyer Gjilanin LDK’së, ndërkohë në zgjedhjet e brendshme partiake që pritet të mbahen gjatë këtij viti, ai do të synojë të marr postin e të parit të partisë. Në një intervistë për Gazetën Express, nënkryetari i partisë që udhëhiqet nga Isa Mustafa, ka folur për temat aktuale politike, që nga rrahjet brenda strukturave të partisë së tij, keqqeverisja e deri tek paqartësia e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Haziri thotë se përgjegjësia për incidentet brenda LDK’së u përket degëve, duke treguar se i kanë identifikuar personat të cilët kanë shkaktuar incidentet, dhe se vendimin për ndëshkim ose jo të tyre thotë se do ta marrin kryetarët tashmë të zgjedhur të degëve.

I pyetur rreth mos ndërrimit të disa figurave të vjetra të LDK’së nëpër degë të ndryshme, siç është rasti i Istogut të Haki Rugovës, Lutfi Haziri thotë se është puna e tyre që i mbanë në ato poste, dhe se ata nuk mund të largohen me pretekstin e ripërtëritjes së degëve.

Për garën e të parit të LDK’së, Haziri thotë se përkrahë një marrëveshje politike, e cila do të ruante unitetin e partisë, ndërkohë për mënyrën e votimit, thotë se është çështje procedurale. Haziri nuk ka pranuar t’i komentojë kritikat e Donika Gërvallës drejtuar Isa Mustafës.

Sa i përket rrëzimit të Qeverisë, Haziri thotë se ende vlenë oferta e bërë me 24 maj të vitit të kaluar për një marrëveshje të të gjitha partive politike, për ta caktuar një datë që do t’iu konvenonte të gjithëve, megjithatë thotë se mocioni për rrëzimin e Haradinajt është i pashmangshëm, dhe se pas zgjedhjeve të brendshme në LDK, do t’ia tregojnë vendin PAN’it.

Ai thotë se përgjegjësia për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës përgjatë kësaj qeverisje të PDK’së-, AAK-së dhe NISMA’së, i faturohet Kadri Veselit si kryetar i këtij koalicioni.

Skandalin në të cilin është përfshirë kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, me dy komikët rusë, Haziri thotë se është një plan i agjencive ruse, ndërkohë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se është në kaos total.

Sipas tij në rast se nuk përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas shtatorit, procesi do të degradohet dhe do të kthehet në pikën zero.