Pas SHBA-së, edhe Gjermania vendos ta ndërtojë objektin e ri për ambasadë

1 muaj më parë

Pas SHBA-së, edhe Gjermania vendos ta ndërtojë objektin e ri për ambasadë

Pas SHBA-ve, edhe Gjermania ka vendosur të ndërtojë një objekt për ambasadën e saj në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt, kanë nënshkruar kontratën për shfrytëzimin e një prone të paluajtshme në Prishtinë për ambasadën gjermane.

Në këtë lokacion, në vitet e ardhshme, do të ndërtohet objekti i ri i Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Ambasadori Heldt u shpreh i gëzuar për hapin e parë “të rëndësishëm për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës Gjermane”.

Ai ka falënderuar Komunën e Prishtinës dhe Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme.

“Ndërtimi i objektit të ri të Ambasadës Gjermane në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë është një hap i ri veçanërisht domethënës në raportet tona bilaterale. Objekti i ri do të jetë një vend për takime dhe shkëmbime të hapura, të cilin edhe nga aspekti mjedisor dëshirojmë ta ndërtojmë në përputhje me standardet më të larta. Objekti i ri i ambasadës duhet të jetë shembull për urbanizëm miqësor dhe të gjelbër”, ka thënë Heldt.

Ndërtimi i objekti të ri të Ambasadës Gjermane do të planifikohet dhe kryhet gjatë viteve të ardhshme sipas standardeve më të larta gjermane dhe evropiane.