Partitë shpenzojnë miliona në parafushatë, financat s’përputhen

4 javë më parë

Partitë shpenzojnë miliona në parafushatë, financat s’përputhen

Me miliona euro shpenzojnë partitë politike për të bërë fushatë gjatë zgjedhjeve. Sipas legjislacionit në fuqi, secila prej subjekte politike është e obliguar që të deklarojë shpenzimet e bëra gjatë fushatës zyrtare.

Por, problem mbesin ato të para fushatës, shumat e të cilave vlerësohet se janë po aq të mëdha sa ato që shpenzohen gjatë fushatës zyrtare, pasi kjo periudhë nuk përfshihet në ligjet ekzistuese, të cilat obligojnë partitë për deklarimin e shpenzimeve të bëra, raporton KTV.

Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ndonëse deklarohet se këto shpenzime partitë i kanë nga donacionet e jashtme, deklarimet e tyre pas fushatës nuk përkojnë me shumat e shpenzuara.

Kurse, Allen Meta, nga Demokraci për Zhvillim, thotë se parafushatën partitë e mbulojnë edhe nga buxheti i brendshëm i tyre.

Në mënyrë që të pamundësohen keqpërdorimet e mundshme, sipas tyre, legjislacioni në fuqi do të duhej të rregullonte edhe këtë periudhë.

Për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 2017-s, partitë politike shpenzuan mbi 3 milionë euro.