Partitë nuk dinë kujt t’ia besojnë kontrollin e financave

4 vite më parë

Partitë nuk dinë kujt t’ia besojnë kontrollin e financave

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë një qëndrim unik se kujt duhet t’i besohet kontrolli i financimit të partive politike.

Gjatë një takimi të organizuar nga Komisioni për Legjislacion,Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, janë dhënë propozime të ndryshme se cili prej mekanizmave shtetëror mund ta bëjë këtë gjë.

Si opsione janë përmendur: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, shkruan AktivPress.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze ka të bëjë pikërisht me shqetësimet e vazhdueshme për mos transparencën dhe mos auditimin e financave të subjekteve politike.

Ajo vlerësoi se duhet gjetur modalitete për këtë çështje, ndërkaq shtoi se është e domosdoshme që auditimi të bëhet në një mënyrë ndryshe.

Haxhiu tha se këtë çështje nuk duhet ta bëjë as Kuvendi dhe asnjë operator privat, por, sipas saj, institucioni kompetent që do të duhej ta bëjë pasqyrën e financave të subjekteve politike është Agjencia Kundër Korrupsionit, duke u bazuar në praktikat e Letonisë.

Ndërsa, Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se ligji në fjalë është bërë me kërkesën dhe insistimin e atëhershëm të autoriteteve të BE-së dhe se tashmë në praktikë kanë dalë probleme.

Ai përmendi, me theks të veçantë, nenin 19 të këtij ligji, që ka të bëjë me sigurimin e auditorëve të licencuar që bëjnë auditimin e subjekteve politike.

Osmani vlerësoi se duke qenë në dijeni se në Kosovë një numër i tillë i auditorëve të licencuar është vështirë të sigurohet, kjo çështje vazhdon të mbetet një problem i madh.

Sipas këtij deputeti, duhet bërë një ligj më të mirë dhe më funksional, në mënyrë që subjektet e partive politike t’i kryejnë obligimet e tyre ligjore, ndërkaq sqaroi se në planin e punës së këtij viti të Komisionit të cilin e kryeson ai, është edhe monitorimi i këtij ligji.

Ndërsa, përmendi edhe vendimin e komisionit që është bërë për rritjen e buxhetit për auditimin e subjekteve politike.

E Faton Topalli, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka sqaruar procedurat që ka zhvilluar ky komision lidhur me këtë çështje, për katër vjet, ndërkaq përmendi edhe vendimin e fundit të Komisionit për kërkesën për inicimin e procedurave për Auditimin e raporteve për pasqyrat financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016.

Gjatë kësaj takimi, pati sugjerime dhe propozime të ndryshme. Mes tjerash u propozua që të mbetet ligji aktual dhe të shtohet buxheti në këtë drejtim. /AktivPress