Partia gjermane shkarkon zyrtarin që kërkoi “gaz për refugjatët”

3 javë më parë

Partia gjermane shkarkon zyrtarin që kërkoi “gaz për refugjatët”

Partia gjermane e së djathtës ekstreme, AfD, ka shkarkuar të hënën një zyrtar i cili ishte kapur nga një kamerë e fshehur duke diskutuar për gazifikimin e refugjatëve.

Në pamje, të incizuara tinëz nga televizioni “ProSieben” në muajin shkurt, Christian Lueth, asokohe zëdhënës i partisë, ishte xhiruar në një kafene të Berlinit duke folur me dikë që besohet se shpreh keqardhje për gjendjen nëpër të cilën po kalon Alternativa për Gjermaninë.

I pyetur nëse AfD-ja donte të shihte më shumë emigrantë, ai ia kthen: “Po”. “Sepse atëherë gjërat shkojnë më mirë për AfD-në. Ne prapë mund t’i gjuajmë pastaj”, thekson ai.

“Ose t’i gazifikojmë, cilëndo që e dëshironi. Nuk mërzitem për asnjërën!” Gazeta “Die Zeit” ka shkruar se ka parë xhirimin, që thuhet se ishte xhiruar nga Lisa Licentia, personalitet i së djathtës në YouTube, e cila kishte vendosur të largohej nga skena e së djathtës ekstreme. “Die Zeit” ka shkruar se nuk kishte asnjë shenjë se Lueth po bënte shaka.

Mediat gjermane kanë raportuar të hënën se Lueth është liruar nga detyra e nëpunësit të grupit parlamentar partiak. Zëdhënësi i grupit nuk ka komentuar menjëherë zhvillimet e fillimjavës. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ia ka dalë të marrë as komentin e Lueth ose të Licentias. Lueth tashmë ishte suspenduar nga pozita e zëdhënësit të partisë në prill, për shkak të një letre elektronike që kishte shkruar, duke përfshirë edhe fjalën “fashist”./KOHA