Parlamentarët ballkanas, pro reformave energjetike në Evropë

3 vite më parë

Parlamentarët ballkanas, pro reformave energjetike në Evropë

Konferenca ndër-parlamentare: “Politika e rrjeteve trans-evropiane dhe agjenda lidhëse”, ka vijuar me agjendën e saj të punës edhe pasdite, në të cilën debati është zhvilluar lidhur me temën: “Rrjetet Trans-Evropiane në fushën e transportit, si dhe energjia dhe ndërlidhja”.

Me ekspozetë e tyre lidhur me temën e parë u paraqitën: Karima Delli, eurodeputete, kryetare e Komisionit për Transport dhe Turizëm, Isabella De Monte, eurodeputete, anëtare e Komisionit për Transport dhe Turizëm dhe Nerejda Hoxha, menaxhere e Planifikimit të Transportit në Organizatën Rajonale të Vëzhgimit të Transportit në Evropën Juglindore.

Me këtë rast, diskutuesit vunë në dukje rëndësinë e transportit në Evropë, me theks të veçantë atë në Ballkanin Perëndimor.

Reformat që po merren nga BE-ja për avancimin e këtij sektori, si dhe obligimet e shteteve përkatëse në përmbushjen e obligimeve për një transport sa më të efektshëm e më të sigurt, ishte temë thelbësore në pjesën e debatit për këtë çështje.

U vijua më pas me temën: “Energjia dhe ndërlidhja”, për të cilën folën: DavorKunc, Menaxher i programit, Energjia dhe Transporti, Njësia për bashkëpunim dhe programe rajonale (Ballkani Perëndimor), Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), Komisioni Evropian, dhe Simon Uzunov, Udhëheqës i Njësisë së Energjisë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

Ata u fokusuan në reformat dhe domosdoshmërinë e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme në Evropë, si dhe në përdorimin efiçient të saj.

Edhe lidhur me këtë temë është zhvilluar debat i gjerë nga të pranishmit, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre.

Në fund të debateve, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, në cilësinë e nikoqirit të takimit, Xhavit Haliti, i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, ndërkaq, takimin e vlerësoi si të dobishëm dhe domethënës për vendin tonë.

Konferenca përfundoi punimet me nxjerrjen e një deklarate të përbashkët, nëpërmjet së cilës shprehet suksesi i kësaj konference dhe nevoja e bashkëpunimit të mëtejmë.