Paratë e Trustit, në kursime

4 javë më parë

Paratë e Trustit, në kursime

Mbi 198 milionë euro të tërhequra nga Fondi i Kursimeve Pensionale, nuk e kanë ndihmuar dukshëm ekonominë e vendit.

Në rritjen prej 11 për qind të depozitave në bankat e Kosovës gjatë 2020-ës, për 40 për qind besohet se ka ndikuar tërheqja e kursimeve të Trustit, të cilat janë deponuar në llogari private, por nuk janë shpenzuar menjëherë, thuhet në një raport të Institutit GAP nga Prishtina, të publikuar në mars të vitit 2021. Sipas këtij raporti, “një numër i madh i kontributpaguesve nuk kanë shpenzuar mjetet, por kanë kursyer”.

Pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike vitin e kaluar, qytetarët kanë pasur mundësi që të tërheqin 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, që e kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar.

Miradija është një nga qytetarët e shumtë që ka tërhequr 10 për qind të kursimeve nga Trustit, të cilat ende nuk i ka shpenzuar.

“Le të më gjinden si rezervë, tashmë është pandemia e koronavirusit, ndonjë sëmundje apo shpenzim të papritur. Vlera e mjeteve nuk është e madhe, pasi unë herë pas herë kam punuar edhe pa kontratë”, tha Miradija.

Rritja e vlerës së depozitave vërehet edhe në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Kursimet e qytetarëve në bankat komerciale që operojnë në vend, në muajin nëntor të vitit të kaluar kanë qenë 4.1 miliardë euro, kurse në muajin dhjetor kjo vlerë ka arritur në mbi 4.3 miliardë euro, aq sa ishte edhe në muajin janar të këtij viti.

Mundësia për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale, nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ishte bërë pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve dhe bizneseve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi. Me këto mjete vlerësohej se do të stimulohej kërkesa agregate.

Stimulimi i kërkesës agregate nënkupton rritjen e shpenzimeve që eventualisht do ta bënin qytetarët, pas marrjes së parave nga kontributet pensionale.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, thotë se tërheqja e shumës se 10 për qind nga kursimet pensionale nuk ka ndikuar shumë në rritjen e kërkesës agregate, pasi sipas tij, njerëzit kanë hezituar të shpenzojnë paratë për shkak të situatës së panjohur me pandeminë.

“Rritja e depozitave është si rezultat i frikës për të investuar dhe frikës se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, kështu që paratë kanë shkuar në llogaritë e kursimeve. Në këtë kuadër, qeveria duhet që të rrisë besimin te qytetarët dhe bizneset që të fillojnë të investojnë, duke i ofruar siguri më të madhe në investimet e tyre. Fatkeqësisht, deri tash një veprim i tillë nuk ka ndodhur”, tha Krasniqi.

Më 11 dhjetor, 2020, kishte filluar aplikimi online për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, proces ky që ka zgjatur deri më 6 prill, 2021.

Gjatë kësaj periudhe, vlera e tërhequr nga 10 për qind të kursimeve pensionale, ka arritur në rreth 198 milionë euro, nga 427.371 kontribuues, tha për Radion Evropa e Lirë, Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Në bazë të ligjit, kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. Kurse, kontribuuesit që kanë më shumë se 10 mijë euro, nuk do të kompensohen.

Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, rreth 92 për qind e kontributpaguesve kanë mjete nën 10 mijë euro, kurse 8 për qind mbi 10 mijë euro.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse 5 për qind paguhet nga paga e punëtorit./REL