Parashkrimi shpëtoi dy producentët kosovarë, MKRS-ja humbi afro 300 mijë euro

8 muaj më parë

Parashkrimi shpëtoi dy producentët kosovarë, MKRS-ja humbi afro 300 mijë euro

14 vjet kohë i janë dashur sistemit të drejtësisë në Kosovë që t’i japë epilog një lënde korrupsioni.

Të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë marrë përgjigje akuzat e Prokurorisë së Shtetit kundër dy producentëve kosovarë, Nehat Fejza e Armond Morina.

Këta producentë para rreth 14 vjetësh kishin marrë rreth 300 mijë euro nga Ministria e Kulturës për realizimin e dy filmave. Ata nuk janë realizuar. Të dy producentët të premten janë liruar nga akuzat për mashtrim, ani pse trupi gjykues është shprehur i bindur se këta producentë e kanë kryer veprën penale të mashtrimit, shkruan sot Koha Ditore.

Por zgjatja e trajtimit të këtij rasti në gjykatë ka bërë që ai të parashkruhet. Kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, në ditën e shpalljes së aktgjykimit ka thënë se kanë vendosur të bëjnë rikualifikim ligjor për akuzat me të cilat ngarkoheshin këta dy producentë.

Sipas Çerkinit, të akuzuarit nuk kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë.

Sipas trupit gjykues, të dy kanë kryer veprën penale “mashtrimi lidhur me subvencionet”, meqenëse në veprimet e të akuzuarve përmbushen elementet e kësaj vepre penale. Rikualifikimi i akuzave për producentët ka bërë që lënda të “vdesë” juridikisht.

“Sipas nenit 91 të të njëjtit Kod Penal të Kosovës, paragrafi 6, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes pe nale, që do të thotë se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për veprën penale ‘mashtrimi me subvencionet’”, deklaroi ajo.

Gjyqtarja Çerkini ka thënë se koha e kryerjes së veprës penale për njërin të akuzuar është viti 2006, përkatësisht për të akuzuarin Armond Morina viti 2008.

Kjo lëndë e vjetër korrupsioni është duke u trajtuar qe një kohë të gjatë nga sistemi i drejtësisë. Kanë kaluar gati tetë vjet prej kur ishte ngritur aktakuzë.