Para se të jemi artistë, të jemi njerëz

1 muaj më parë

Para se të jemi artistë, të jemi njerëz

Luan Sapunxhiu, i lindur në Pejë me 6 tetor 1953. Kitarën e kishte në shtëpi para se të lindë. Ishte natyrshëm i ndikuar nga babai, Jahja Sapunxhiu, i cili ishte i pasionuar pas muzikës sidomos asaj flamengo për ç’arsye Luani shumë herët si parashkollor kishte mundësinë t’i dëgjonte kitaristët, si Sabicas, Montoya, Ricardo etj.

Karrierën si mësues i kitarës e nisi në fillim të viteve ‘80 me insistimin e drejtorit të atëhershëm Xhevdet Bakraçi. I inkurajuar nga kitaristi i njohur Ehat Musa e pranoi ftesën, kështu që nga viti 1985 punoi pa ndërprerë në shkollën e muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë, shkruan sot Koha Ditore.

Në vitin 1994 ftohet që të jetë bartës i klasës së kitarës në Prizren. Ky angazhim rezultoi shumë suksesshëm meqë nxënësit e Luanit nga ajo kohë, sot i kemi emra të njohur të kitaristëve dhe profesorëve të kitarës, si Petrit Çeku, Elvis e Gjulian Bytyqi, Drilon Çoçaj e të tjerë.

Koha. Kategori filozofike, religjioze, fizike, e të tjera, gjithsesi edhe ndjenjë personale. Koha e të parëve tonë, koha e jonë? Jo rrallë më mohohet e sotmja; “Ka kaluar koha jote…”.

Ndoshta edhe me të drejtë? Çdo kush e ka kohën e vet si më të bukurën të përjetuar. Dhe sot disa, nga papjekuria (iu duhet kohë për t’u pjekur si pemëve, perimeve, bukës etj.) më akuzojnë mua dhe njerëzit e kohës time si “jugonostalgjikë”. Po kam nostalgji si çdo njeri normal; për fëmijërinë, kur i kisha prindërit rinj me të cilët së bashku me vëllezërit dhe motrën jetonim si familje e lumtur. Për rininë, me shokët dhe shoqet në lagje, në shkollë. E ardhmja(?!) gjithsesi një iluzion ose realitet kalues që s’do të kthehet kurrë…

Muzika, padyshim, mi definon disa momente të bukura emocionale. Dhe në muzikë meloditë e thjeshta që më së shpeshti ma zbukuronin momentin dhe jo rrallë edhe ditën.

Gitarja (K-në e harxhova) ashtu i kam thënë tërë jetën si spanjollët me G, guitarra… Në fillimet e jetës sime së bashku me violinën e babait e përjetoja si orendi shtëpiake. Koncertin e parë për dorën e djathtë, me tela të zbrazët, e kam mbajtur për fëmijët e lagjes në pjesën e oborrit pas shtëpisë. Melodinë e parë e mësova 8 vjeç. E luaja shumë korrekt vetëm në telin e parë. Nuk vonoi shumë kur babai ma mësoi një vals në D-dur. Kurrë nuk e mësova titullin e valsit dhe nuk e di kush ishte kompozitor. Në vitet në vazhdim më rrëmbeu koha, edhe unë u bëra rocker?! Deri diku.