Papunësia ‘kacafytet’ me punësimin

4 vite më parë

Papunësia ‘kacafytet’ me punësimin

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi anketën e fuqisë punëtore për tremujorin e dytë të këtij viti.

Në tre muajt (prill-qershor) të këtij viti shkalla e punësimit është 29.9 për qind, ndërsa papunësia 30.6 për qind.

Në krahasim me anketën e fuqisë punëtore për tre muajt e parë të 2017-ës është rritur edhe punësimi, po edhe papunësia.

Në tre muajt e parë të 2017-ës shkalla e punësimit ishte 28.9 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë 30.5 për qind.

Në anketën e ASK-së për muajt prill- qershor 2017 thuhet se punësimi më i lartë është te meshkujt.

“Punësimi me i lartë është te meshkujt (46.8%), ndërsa punësimi te femrat është 12.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë, me 47.1% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë, me 47.4%.” thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së, sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.5 për qind; prodhimi me 13.9 për qind; ndërtimtaria me 13.6 për qind; dhe arsimi me 8.9 për qind.

Të punësuarit me kontrata, ASK thotë se 29 për qind e personave kanë kontrata të përgjithshme, përderisa 71 për qind kanë kontrata të përkohshme.

Në anketë thuhet se në tremujorin e dytë të këtij viti shkalla e papunësisë është 30.6 për qind.

Për dallim nga punësimi që është më i lartë te meshkujt, te papunësia prijnë femrat.

“Papunësia më e theksuar është te femrat me 36.6 %, krahasuar me meshkujt, 28.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 50.9%”, thuhet në njoftim./kallxo.com