Pandemia zvogëlon eksportin e industrisë së drurit

2 muaj më parë

Pandemia zvogëlon eksportin e industrisë së drurit

Sektori i prodhimit, konkretisht industria e përpunimit të drurit në Kosovë, është një nga sektorët që është goditur më së rëndi nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi. Ky sektor, sipas Shoqatës së përpunuesve të drurit, ka zvogëluar kapacitetet prodhuese për 30 për qind, duke zvogëluar në këtë mënyrë edhe eksportin për në vendet e Bashkimit Evropian.

Në këtë sektor, hyn përpunimi i mobilieve, dyerve, dritareve dhe të tjera.

Kurse, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit të kaluar eksporti i këtyre produkteve ka qenë 5.8 milionë euro, derisa eksporti për shtatë muajt e këtij viti kap vlerën e 2.8 milionë eurove.

Një ndër kompanitë që ka zvogëluar kapacitet prodhuese, rrjedhimisht eksportin për 30 për qind, është edhe kompania “Binni”, nga Vushtrria që merret me prodhimin e dyerve, dritareve dhe produkteve të tjera në fushën e mobilierisë. Kjo kompani eksporton në disa vende të Bashkimit Evropian.

Një nga pronarët e kësaj kompanie, Bedri Fazliu, tregon se përveç rënies së fuqisë blerëse në tregun vendor, rënie për 30 për qind ka shënuar edhe eksporti i mallrave në vendet evropiane, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Zhvillimi i aktivitetit aktual është luftë për mbijetesë, thotë Fazliu duke shtuar, se nëse vazhdon kjo situatë deri në fund të vitit, atëherë do të shqyrtohet edhe mundësia e zvogëlimit të numrit të punëtorëve. Kjo kompani numëron 190 punëtorë.

“Vendet ku më së shumti kemi eksport janë: Gjermania, Zvicra, Franca, Austria dhe shtetet tjera, por në sasi më të vogël. Edhe në këto shtete kriza me pandeminë ka ndikuar, kështu që njerëzit hezitojnë të investojnë. Deri më tani nuk kemi humbur ndonjë kontratë, porse kërkesa nuk ka”,thotë Fazliu për Radion Evropën e Lirë.

Edhe Arieta Vula-Pozhegu, kryetare e Shoqatës së përpunueseve të drurit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kriza globale me pandeminë ka ndikuar me rënie të kërkesës së këtij produkti si në tregun vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ajo thotë se rënia e fuqisë blerëse për këto produkte ka ndodhur për shkak se kërkesa e konsumatorëve, në këtë situatë të pandemisë, është orientuar kryesisht te produktet e domosdoshme ushqimore.

“Kjo është krizë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë dhe botë. Kështu që kontratat nga Kosova në Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera janë pamundësuar fillimisht për shkak të ndalimit të punës për një periudhë. Më pas edhe pas rifillimit të punës, pas lehtësimit të masave, prapë se prapë vështirësitë kanë qenë të pranishme në punë, për shkak të prezencës së personave të infektuar”, thotë Vula- Pozhegu.

Kosova kishte vendosur masat për frenimin e COVID-19 më 13 mars, kur edhe u shënuan rastet e para me këtë virus në vend.

Deri më 4 maj, kur ka filluar faza e parë e masave lehtësuese, sipas organizatave ekonomike, bizneset kanë pësuar humbje të mëdha pasi shumica e tyre ose kanë qenë të mbyllura ose kanë zhvilluar aktivitet kufizues ekonomik.

Edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, më 14 korrik, ka publikuar një raport të lidhur me ndikimin e pandemisë në sektorin ku përfshihet industria e përpunimit të drurit.

Në këtë raport, thuhet se ”pandemia ka ndikuar në krizë financiare te sektorët e industrisë përpunuese, e në veçanti te sektori i drurit dhe mobilieve, duke ditur se kërkesa (fuqia blerëse) në kohë krize, në këtë raste te mobiliet, është minimale”.

Sipas këtij raporti, në muajin janar dhe shkurt të këtij viti eksporti i këtyre produkteve ka pasur rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2019, përderisa në muajin prill eksporti ka shënuar rënie për rreth 12 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rritja dhe ulja e eksportit dhe importit

Ndryshe nga industria e prodhimit të drurit që ka pësuar rënie në eksport, produkte të tjera kanë shënuar rritje. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e përgjithshme e produkteve “ Made in Kosova” të eksportuara nga muaji janar deri në muajin korrik të këtij viti, ka arritur në mbi 233 milionë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kjo vlerë ishte mbi 199 milionë euro.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian dhe rajon, janë Gjermania, Italia pasuar nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Grupet kryesore të eksportit të mallrave gjatë kësaj periudhe janë metalet bazë, plastikë, gomë dhe artikuj të tyre.

Kurse, gjatë këtij viti është zvogëluar vlera e mallrave të importuara në Kosovë. Sipas të dhënave të Doganës, për periudhën janar-korrik të këtij viti, vlera e importit është mbi 1.7 miliard euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kjo vlerë ka qenë mbi 1.9 miliard, që do të thotë ka rënie prej 176 milionë euro.

Efektet e pandemisë janë kanë ndikuar edhe në rënien e qarkullimit të bizneseve private, ka thënë të premten drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media, ku ka prezantuar aktivitetet dhe rezultatet e ATK-së gjatë periudhës së pandemisë COVID 19.

“Efektet e pandemisë, përveçse kanë pasur efekte të të hyrave tatimore, efekt jashtëzakonisht të lartë kanë pasur edhe në qarkullimin e bizneseve. Në periudhën mars-qershor 2020, kemi pasur rënie të qarkullimit në vlerë prej 833 milionë eurosh, ose 22 për qind rënie të qarkullimit në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, ka njoftuar Murtezaj.

Murtezaj, ndërkaq ka bërë të ditur se të hyrat tatimore deri më 30 qershor kanë qenë 215.9 milionë euro apo 23 milionë euro më pak, se në vitin e kaluar./REL