Pagat e larta i patën refuzuar edhe disa ministra në Qeverinë Haradinaj

5 muaj më parë

Pagat e larta i patën refuzuar edhe disa ministra në Qeverinë Haradinaj

Vendimin e parë që e mori kabineti qeveritar nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti qe shfuqizimi i vendimit për ngritje të pagave të qeveritarëve dhe të një pjese të stafit civil brenda Zyrës së Kryeministrit.

Kurti nuk u pajtua me pararendësin e tij Ramush Haradinaj, i cili pagën e vet e pati dyfishuar, nga 1500 euro, në 2950 euro, shkruan AktivPress.

Nga vendimi i Haradinajt patën përfituar jo pak edhe ministrat, pasi pagat e tyre u patën bërë 2 mijë euro, nga 1200 sa i kishin pasur deri në atë kohë.

Por jo të gjithë ministrat e Qeverisë Haradinaj u patën pajtuar me atë vendim.

I pari që e pati kundërshtuar qe ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, aktualisht shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ai e pati vlerësuar atë vendim si të dëmshëm dhe pati zgjedhur që pagën e tij të mos e merrte me ngritje.

Ky veprim i Hamzës e pati nervozuar Haradinajn. Publikisht ai pati deklaruar se nuk po e kupton Hamzën, duke shtuar më pas se edhe vet “mund të tregonte burrni duke mos e marrë pagën me rritje”.

Hamza, megjithatë nuk ishte i vetmi që pati refuzuar ta marrë “pagën e majme”.

Njësoj patën vepruar edhe këshilltarët  dhe asistentët e tij.

Atyre më pas iu bashkuan me gjithë stafe edhe dy ish-ministrat e tjerë nga PDK-ja, Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.

Çështja e pagave më vonë u rregullua me ligj të veçantë, por ky ligj pas hyrjes në fuqi, për shkak të shumë ankesave nga sindikatat e punëtorëve, përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

Tash për tash, siç shkruan AktivPress, ligji në fjalë është në procedurë të shqyrtimit nga trupi i gjykatësve që janë të thirrur për të vlerësuar përputhshmërinë e tij me Kushtetutën.

Derisa vendimi i Haradinajt për ngritje të pagave pati krijuar kaos, veçmas në sistemin e drejtësisë, pasi niveli i pagave të gjykatësve dhe prokurorëve ndërlidhej me nivelin e pagave në Qeveri, vendimi që mori Kurti, shmangu tronditjen e mundshme në këtë sistem.

Në vendim u tha shprehimisht se shfuqizimi i vendimit paraprak nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësë dhe Gjykatën Kushtetuese.

Pavarësisht kësaj, aktualisht ekziston një përplasje opinionesh mes atyre që vlerësojnë se Qeveria Kurti megjithatë e ka shkelur ligjin me vendimin për ulje pagash, dhe atyre që vlerësojnë se ky vendim është në harmoni me ligjin.

Këta që e mbrojnë tezën e fundit thirren në Ligjin për gjykatat i cili e përcakton që “kryetari i Gjykatës Supreme do të pranoj një pagë jo më pak se ajo e Kryeministrit të Republikës së Kosovës”.

Ky nen lë mundësinë që paga e kryetarit të Gjykatës Supreme të jetë më e lartë se ajo e Kryeministrit, por në asnjë rrethanë të jetë më e vogël se e shefit të Qeverisë. Në Gazetën Zyrtare megjithatë rezulton si i shfuqizuar.

Në një intervistë televizive, Kurti ka thënë se edhe sikur Ligji për pagat të rezultojë se është në përputhshmëri me Kushtetutën, kurrë nuk do të pranoi që paga e tij të jetë 2950, në një Kosovë kaq të varfër./AktivPress/