Padi kundër Zyrës së Kryeministrit

5 vite më parë

Padi kundër Zyrës së Kryeministrit

Avdi Shala ka paditur Zyrën e Kryeministrit të Kosovës në Gjykatën Themelore të Prishtinës me arsyetimin se nuk i është vazhduar mandati – anëtar i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), gjegjësisht inspektor i operimeve, ashtu si parashikojnë dispozitat ligjore në fuqi.

Paditësi pretendon se është dashur t’i vazhdohet mandati dhe jo të hapet konkursi për pozitën e tij, pasi që Ligji për Aviacionin Civil parasheh që anëtarët mund të riemërohen për një apo më shumë mandate shtesë nëse pajtohen me shkrim që të shërbejnë gjatë tërë kohëzgjatjes së mandatit.

Në bazë të këti Ligji, paditësi Shala pretendon se është dashur që t’i vazhdohet mandati dhe jo të hapet një konkurs i ri për pozitën e tij, pasiqë, sipas tij, asnjë nga kushtet ligjore nuk është përmbushur për shkarkimin e tij.

Shala konsideron se shkelja tjetër në rastin e tij është mënyra e njoftimit për mosvazhdim të mandatit. Ai thotë se njoftimi përveç që është bërë pa u bazuar në asnjë dispozitë ligjore, është bërë nga personi apo organi jokompetent.

Sipas padisë, njoftimi në fjalë nuk është bërë nga Zyra e Personelit, përgjegjës për burimet njerëzore, por nga këshilltari politik, pa kurrfarë baze dhe shpjegimi ligjor.

Paditësi kishte pranuar vetëm një e-mail nga Zyra e Personelit në Zyrën e Kryeministrit, të dërguar nga shefi i Kabinetit (këshilltar), Sokol Havolli, me anë të të cilit është njoftuar se mandati nuk i është vazhduar. Në të, thotë Shala, nuk kishte asnjë arsyetim.

“Ju njoftojmë se manadati nuk ju është vazhduar”, shkruante në e-mailin që e kishte dërguar Havolli.

Në padi thuhet se gjatë mandatit të tij të parë, Avdi Shala kishte dëshmuar profesionalizëm duke bërë publikimin e dy librave profesionalë, punime me karakter shkencor, ka bërë publikim e një varg intervistash dhe vlerësohet të ketë arritur nivelin e hetuesve të shteteve evropiane, gjë e cila, sipas tij, kërkohet me standarde evropiane dhe ndërkombëtare të aviacionit civil.

Në bazë të padisë, përkundër faktit se paditësi Shala i ka përmbushur kriteret për zgjatjen e mandatit, Qeveria e ka shpallë e rishpallë katër herë radhazi konkursin për pozitën e tij dhe pesë herë radhazi për pozitën inspektor i inxhinierisë, pozitë kjo në të cilën kishte aplikuar Shala në të njëjtën kohë, raporton Kallxo.com.

Si rezultat, në të dyja konkurset e lartcekura janë përzgjedhur persona të tjerë, që sipas padisë, nuk kishin përvojë në fushën e aviacionit.

“I kam parë CV-të e tyre. Fjala avion nuk haset askund”, theksoi paditësi Shala në seancën përgatitore, në të cilën palën e paditur e përfaqësonin avokati shtetëror Heset Mazrekaj dhe zyrtari në Zyrën e Kryeministrit, Agron Gashi.

Paditësi Shala ka ushtruar ankesë duke e kontestuar këtë zgjedhje dhe duke e kërkuar anulimin e këtij vendimi të kundërligjshëm dhe riemërimin e tij.

Po ashtu, për shkak se i është pamundësuar riemërimi si anëtar i Komisionit, paditësi pretendon se i është shkaktuar dëm material për shkak të mungesës së pagës dhe benefiteve të tjera.

“Ritheksoj se personat të cilët punojnë në Komisionin për Hetimin e Aksidenteve (KHAIA) nuk plotësojnë asnjërin nga kriteret profesionale për të qenë në pozitat që mbajnë, ndërsa unë kam qenë personi që i plotësoj të gjitha këto kritere të përcaktuara me standarde ndërkombëtare dhe sipas legjislacionit përkatës i cili është në fuqi për këtë fushë”, tha paditësi Shala në seancë.

“Për më tepër, në rastin e Arben Dikës – inspektori i hetimeve një rekomandim i është lëshuar nga ana e sekretarit të MPJ-së, në atë kohë Kreshnik Gashi, i cili më parë ka qenë kryesues i këtij Komisioni ndërsa i njëjti sekretar ndaj meje ka shqiptuar vërejtje me shkrim, rekomandim, çka vlerësoj se është një veprim tendencioz, subjektiv, pasi që unë kam qenë personi që kam ngritur shqetësimet te Zyra e Kryeministrit për mosfunksionalizimin e institucionit”, shtoi paditësi Shala.

“E kundërshtoj padinë dhe kërkesë-padinë për arsye se pala e paditur – Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë çështje juridike në tërësi ka aplikuar normat procedurale dhe materiale në Republikën e Kosovës”, u kundërpërgjigj përfaqësuesi i autorizuar ligjor i të paditurës, Heset Mazrekaj.

Sipas Mazrekajt, paditësi nuk i ka plotësuar kriteret formale, pasi që dokumentacioni i dorëzuar për sa i përket shkollimit nuk ka qenë i nostrifikuar dhe se paditësi Shala ka pasur vërejtje gjatë punës së tij pasi që nuk e ka prezantuar drejt gjendjen e aviacionit civil të Kosovës.

Paditësi Avdi Shala u arsyetua me faktin se dokumentet e shkollimit të përfunduar në Gjermani nuk i ka pasur të nostrifikuara deri në muajin shkurt të vitit 2017 edhe pse kërkesën për nostrifikim e kishte bërë që nga viti 2009, kur e kishte përfunduar shkollimin në Gjermani.

Ankesa pati edhe në përbërjen e Komisionit. Sipas paditësit, Komisioni ishte i përcaktuar të jetë prej 5 anëtarëve, por në rastin e intervistës kanë qenë vetëm 3.

Replikë pati nga përfaqësuesi ligjor i autorizuar i palës së paditur, i cili tha se komisioni ka qenë në përbërje të plotë, ndërsa paditësi në atë kohë nuk ka kundërshtuar dhe nuk ka paraqitur vërejtje sa i përket përbërjes së komisionit.

Vazhdimi i seancës kryesore u caktua të mbahet në muajin mars.