Pacientët nuk e pëlqejnë ushqimin në QKUK

6 muaj më parë

Pacientët nuk e pëlqejnë ushqimin në QKUK

Ushqimi për pacientët, krahas terapisë, konsiderohet si element shumë i rëndësishëm për trajtim dhe shërbim apo edhe mbajtjen e sëmundjes nën kontroll, kur bëhet fjalë për sëmundje kronike.

Në kuzhinën qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shërbehen prej 4 deri në 5 mijë racione ushqimi gjatë ditës. Por, pacientët thonë se nuk e preferojnë atë ushqim, kështu që në të shumtën e rasteve ushqehen jashtë klinikës ku janë të shtrirë.

Ushqimi që shërbehet nga kuzhina qendrore, sipas tyre, nuk është e ndarë për klinika të caktuara, meqë edhe sëmundjet e caktuara kërkojnë që pacientët të kenë ushqimin specifik dhe adekuat.

Pacientja Nurie Hasani, e cila është e shtrirë qe dy muaj në njërën nga klinikat e QKUK-së, thotë se nuk e pëlqen ushqimin që u shërbehet, duke besuar se ai nuk është as i shëndetshëm.

“Unë jam e shtrirë qe dy muaj në spital. Mua nuk më pëlqen ushqimi i spitalit, andaj ushqehem jashtë. Spitali ofron si racione për drekë, fasule, oriz, gullash dhe unë nuk e dua atë ushqim, andaj ushqehem jashtë”, thotë ajo.

Fisnik Dobra, shef i sektorit të ushqimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se për pacientët e shtrirë brenda QKUK-së, ofrohen tri racione në ditë. Ushqimi që shërbehet aty, sipas Dobrës, ka cilësi të mirë dhe është i ndarë, varësisht nga sëmundjet e pacientëve.

“Cilësia e ushqimit është e mirë, edhe pse gjithmonë ka hapësirë për përmirësime, jo vetëm te ne, por edhe në vende shumë më të zhvilluara. Vetë shkenca e nutricionit evoluon. Nëse një kohë disa produkte kanë qenë të shëndetshme, në një kohë tjetër kjo mund të ndryshojë”, thotë Dobra.

Përderisa pacientja Hasani thotë se jashtë spitalit ushqehet me ushqime të shpejta si hamburgerë e byrekë, Fisnik Dobra mendon se ushqimet e tilla, nuk janë të shëndetshme, krahasuar me ushqimin që u shërbehet në kuzhinën e spitalit.

“Kemi raste kur pacientët refuzojnë peshkun dhe blejnë ushqim të shpejtë. Pra, vetëdija e popullatës është e ulët. E refuzon peshkun e han qofte. Jo të gjithë pacientët mund ta pëlqejnë ushqimin. Ndonëse sipas anketave që ne i bëjmë me pacientë, ata janë të kënaqur”, thekson Dobra.

Në anën tjetër, Rina Tafarshiku, endokrinologe, thotë se ushqimi që iu shërbehet pacientëve, nuk është i ndarë për sëmundje të caktuara. Ajo thotë se pas shumë vjetësh kërkese nga ana e klinikës, vetëm buka që u ofrohet pacientëve është specifike, por jo edhe ushqimi.

“Shumica e pacientëve në Klinikën Endokrinologjike janë të sëmurë nga diabeti. Ushqimi i tyre do të duhej të ishte i veçantë pasi një nga metodat e trajtimit është edhe kujdesi në ushqim. Ushqimi në klinikën tonë nuk dallon nga klinikat tjera”, thotë Tafarshiku.

Mbi 20 mijë vizitorë gjatë ditës në QKUK
Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, thotë se sa i përket cilësisë së ushqimit, si inspektorat nuk kanë vërejtje, por ai shton se menyja nuk është e përzgjedhur për pacientët, çka, sipas tij, nuk i plotëson kushtet adekuate për konsumim për secilin pacient.

“Sa i përket Inspektoratit sanitar ne bëjmë kontrollet e sigurisë ushqimore në mensën e QKUK-së dhe deri më tani nuk kemi pasur në ndonjë shqetësim sa i përket ushqimit aty. Ndërkaq, kategorizimi i menysë për pacientët specifikë sipas klinikave, nuk është bërë për momentin, nuk ka meny të përzgjedhur apo të dalluar varësisht nga pacientët. Pra, këtë e parashohin të gjitha vendet tjera, ushqimi duhet të jetë specifik për pacientët”, shpjegon Tërshnjaku.

Besim Kodra, udhëheqës i shoqatës për të drejtat e pacientëve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se cilësia e ushqimit nëpër klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është e dobët. Ai bazohet në ankesat që i kanë marrë si shoqatë nga ana e vetë pacientëve.

“Gjendja e ushqimin është shumë e dobët, vazhdon të jetë e dobët prej kohësh. Si rezultat, shumë pacientë nuk e konsumojnë (ushqimin) aty brenda. Shumë nga ta ushqehen jashtë apo furnizohen nga familjarët e tyre. Pastaj aty nuk ka nutricistë, të cilët do të përcaktonin se cili pacient çka do të konsumonte prej ushqimit. Pra, ka probleme në përgjithësi, si te përgatitja, shpërndarja e kështu me radhë”, shprehet Kodra.

Për çfarë ankohen më shumë pacientët?
Ndërkaq, Mirjeta Zeqiri, paciente, e cila ishte shtrirë tash e dhjetë ditë në QKUK, thotë se me dëshirë nuk e konsumon ushqimin që i shërbehet, por ka raste kur ushqehet me të.

“Unë jam qe 10 ditë në spital e shtrirë. Ka raste kur e konsumoj ushqimin e spitalit. Por, jo gjithherë më pëlqen ushqimi. Kur nuk e dua ushqimin, porosisim ushqim te restorantet përreth spitalit. Mendoj se cilësia nuk është e dobët, por për shkak të shijes që bëhet për pacientë, pa kripë edhe pa mëlmesa, nuk më pëlqen, ndonëse ndoshta është më i shëndetshëm”, shprehet Zeqiri.

Shefi i kuzhinës, Fisnik Dobra, ndonëse deklaron se menyja është ndarë për pacientë, varësisht nga sëmundja që kanë, Radio Evropa e Lirë nuk pati mundësi ta sigurojë një meny të ushqimit, meqë Dobra thotë se nuk e posedojnë një të tillë./REL