“Pa vend” e dërgon Kosovën në Kanë

1 muaj më parë

“Pa vend” e dërgon Kosovën në Kanë

Me shumë pak përkrahje nga institucionet e Kosovës, por me një punë dhe vullnet të madh, filmi “Pa vend”, i regjisorit Samir Karahoda do të garojë për “Palmën e Artë” në garën zyrtare të festivalit prestigjioz të filmit, atë të Kanës.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Pa vend”, është në mesin e dhjetë shteteve që do të garojnë në Festivalin e Kanës.

Ky është filmi i parë kosovar që garon në këtë festival.

Filmi “Pa vend” sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta, në kontekstin e situatës së sotme.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, regjisori Samir Karahoda thotë se kjo është një prej arritjeve më të mëdha të kinematografisë së Kosovës, pasi që filmi i tij, është prodhuar nga një ekip lokal.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Është një prej arritjeve më të mëdha të kinematografisë vendore, duke përfshirë edhe ekipin, që vlen të përmendet, që është punuar me një ekip lokal. Pra, i tërë ekipi ka qenë nga Kosova. Me këtë e kemi dëshmuar se nëse bëhemi bashkë mund të arrijmë dhe të garojmë në secilin shtet të botës, sa i përket kësaj fushe”, ka thënë ai.