Osmani thirrje Qeverisë ta sjellë në Kuvend Ligjin për parandalimin e COVID-19

4 muaj më parë

Osmani thirrje Qeverisë ta sjellë në Kuvend Ligjin për parandalimin e COVID-19

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta sjellë në Kuvend Ligjin për Parandalimin e Pandemisë COVID-19 për t’u miratuar, pas raportimit për 6 vdekje të reja të shtunën nga koronavirusi.

“Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën. Humbëm gjashtë jetë njerëzish nga virusi Covid-19. Jetët, edhe kur shtrëngohemi t’i përmbledhim në numra, nuk janë numra, sepse prapa secilës jetë, prapa secilës humbje, qëndron një histori njerëzore, qëndron dhimbja e prindërve për fëmijët e tyre ose e fëmijëve për prindërit dhe në fund dëshpërimi për humbjen e madhe”, shkruan Osmani në Facebook.

Kryeparlamentarja ka bërë thirrje që Ligji kundër COVID-19 që është iniciuar në Kuvend, duhet të amandamentohet e më pas të miratohet.

“Ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Ndaj dhimbjen me secilën familje të prekur dhe lutem që të sëmurët nga virusi të shërohen sa më parë. Bëj thirrje edhe një herë që mbrojtja e të drejtës në jetë të vendoset prioritet mbi prioritetet, sepse as ekonomia e as fushat e tjera nuk do të mbijetojnë nëse nuk sigurojmë shëndetin e popullatës sonë. Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kemi iniciuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë. Ky ligj është posaçërisht i nevojshëm për t’i dhënë kompetenca shtesë organeve ligj-zbatuese në mënyrë që të ndërmerren masa strikte për parandalimin e pandemisë”, shton tutje Osmani.

Ajo madje u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u besojnë atyre që thonë se COVID-19 nuk ekziston.

“Ky virus vret. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ekziston. Mos u besoni as atyre që e minimizojnë rrezikun. Prandaj të kujdesemi secili për veten e familjet tona duke mbajtur maska, distancë e higjienë”, përfundon kryeparlamentarja Osmani.