Osmani mori mbi 300 mijë vota, Mustafa: Nuk i komentoj fitoret individuale

2 muaj më parë

Osmani mori mbi 300 mijë vota, Mustafa: Nuk i komentoj fitoret individuale

Kryetari në largim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk ka pranuar që të komentojë rezultatet e ish-nënkryetares së kësaj partie, Vjosa Osmani, në zgjedhjet e 14 shkurtit, e cila mori mbi 300 mijë vota, duke u bërë personi më i votuar në këto zgjedhje.

Mustafa pas takimit me kryetarët e degëve të kësaj partie, tha që nuk i komenton fitoret individuale.

“Unë nuk i komentoj fitoret individuale. Është çështje e qytetarëve të cilët kanë votuar dhe e respektoj votën për çdo kënd, jo vetëm për Vjosën. I pranojmë rezultatet e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

LDK-ja doli e treta me më pak se 13 për qind apo 15 ulëse në Kuvend. Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje nuk ka arritur të dalë e para në asnjë komunë, madje ky subjekt ka shënuar humbje edhe në disa prej komunave të cilat me vite kanë qenë bastione të saj.