Osmani ia ndërpret mandatin Nenad Rikalos në KQZ

1 javë më parë

Osmani ia ndërpret mandatin Nenad Rikalos në KQZ

U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke u mbështetur në Kushetutën e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim t’ia ndërpresë mandatin në Komisionin Qendror Zgjedhor, përfaqësuesit të Listës Serbe, Nenad Rikalo.

Ky vendim është marrë pasi që.Rikalo, ditë më parë nga Qeveria e Serbisë ka marrë pozitë të lartë në të ashtuquajturën “Zyre për Kosovën”.

“Në mbështetje të nenit 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L – 094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, Nr. 47, 25 janar 2009), nenit 61 (paragrafi 5, pikat a dhe d) të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (GZ, Nr. 31, 15 qershor 2008), nenit 3 (paragrafi 4) të Rregullores (P) Nr. 02/2016 për strukturën organizative të Presidencës (08.09.2016), si dhe duke marrë parasysh shkresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të pranuar në Zyrën e Presidentit më 20.11.2020 (Nr. Prot.: 1240)” nxjerr: Vendim: 1. Z. Nenad Rikalo, i ndërpritet mandati si Anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. 2. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit“, thuhet në vendimin e u.d.Presidentes Osmani.

Osmani më pas ka sqaruar se shkarkimi i Rikallos ka ardhur pas angazhimit të tij në një pozicion publik në Qeverinë e Serbisë.

“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi ia kam ndërprerë mandatin e përfaqësuesit të Listës Serbe në KQZ, Nenad Rikalo, meqë ai ka marrë pozitë të lartë në të ashtuquajturën “Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë’. Zyrtarët e emëruar në institucionet publike të Republikës së Kosovës kanë obligim primar t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës sonë, Republikës sonë dhe institucionit ku ata punojnë. Duke u angazhuar në një pozicion publik në Qeverinë e Serbisë, Z.Rikalo ka shkelur integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, betimin e dhënë me rastin e emërimit si dhe ka vënë në rrezik kushtetushmerinë e funksionimit të këtij institucioni”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.