Osmani i dekoron me Medalje Presidenciale punonjësit shëndetësorë

2 muaj më parë

Osmani i dekoron me Medalje Presidenciale punonjësit shëndetësorë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka dekuruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësorë të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.

Osmani e cila po ashtu është e infektuar me COVID-19 dhe është në vetizolim, ka bërë të ditur se së shpejti do të organizohet ceremonia e ndarjes së dekoratave në Presidencë.

“Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.

Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.

Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse”, ka shkruar Osmani në Facebook.