Osmani: Beteja me COVID-19 s’ka përfunduar, këta muaj rritet rreziku

1 muaj më parë

Osmani: Beteja me COVID-19 s’ka përfunduar, këta muaj rritet rreziku

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, të shtunën, kur në Kosovë janë shënuar 148 raste pozitive me koronavirus por asnjë i vdekur, ka bërë thirrje për kujdes të shtuar.

Në një postim në Facebook, Osmani thotë se pandemia me virus nuk ka përfunduar dhe se rreziku ekziston.

“Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar”, shkruan Osmani.

Tutje ajo ka bërë thirrje të respektohen masat kundër koronavirusit.

“Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve. COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!”, thotë ajo.