Ofronte 2 mijë vende pune në Gjermani, shteti nuk e licenon kompaninë

4 javë më parë

Ofronte 2 mijë vende pune në Gjermani, shteti nuk e licenon kompaninë

Janë bërë pesë muaj që kur kompania gjermane e ashtuquajtur B.S.B Aviation kishte hapur konkurs për pranimin e dy mijë kosovarëve për të punuar në aeroportin e Hamburgut.

Mirëpo, kjo kompani ende nuk ka arritur të hapë dyert për pranimin e aplikimeve për dy mijë vende pune pasi vazhdon të jetë nën “llupën” e organeve të drejtësisë.

Qytetarët e mbledhur për konkursin e B.S.B Aviation

Hetimet e Prokurorisë të nisura muaj më parë ende nuk kanë përfunduar e as licenca nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk i është dhënë kompanisë në fjalë.

Që nga tetë nëntori i vitit të kaluar qytetarët që i kanë mësyrë këtij konkursi janë në pritje të marrjes së ndonjë informacioni nga kompania lidhur me marrjen apo jo të licencimit.

Mirëpo, deri tani nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga Kompania për qytetarët të interesuar për konkursin.

Në një përgjigje me shkrim të MPMS-së, zyrtarë të kësaj ministrie për Indeksonline bëjnë me dije se komisioni ka konstatuar se kjo kompani nuk mund të licencohet tani për tani.

Pa u sqaruar rrethanat të veprimtarisë së kompanisë, MPMS nuk do të licencoj.

“Komisioni për shqyrtimin e aplikacioneve dhe lëshimin e lejeve për ofruesit jo-publik të shërbimeve të punësimit,  duke u bazuar në udhëzimin administrativ përkatës,  ka shqyrtuar kërkesën e kompanisë “B.S.B Aviation” për licencim në ofrimin e shërbimeve të punësimit të kategorisë D dhe E. Komisioni, pas shqyrtimit të gjitha shkresave të kësaj lënde, si dhe duke u bazuar në shkresat e organeve kompetente të drejtësisë dhe sigurisë, ka konstatuar se kompania e lartpërmendur nuk mund të licencohet deri në sqarimin e plotë të gjitha rrethanave të veprimtarisë së kompanisë para aplikimit për licencim”, kanë bërë të ditur nga MPMS.

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala për Indeksonline ka thënë se ata janë në fazën fillestare të hetimeve dhe se licenca nuk prodhon pasoja juridike.

“Kjo kompani akoma nuk ka fillu me operu. Licenca nuk varet nga hetimet tona. Ne jemi në fazat fillestare të grumbullimit të informacioneve. Ne u kemi përgjigje Ministrisë me shkresë. Hetimet formale nuk kanë fillu dhe grumbullimi i informacioneve nuk krijon pasojat juridike”, ka thënë Shala.

Mirëpo, nga MPMS kanë deklaruar se deri në ndrqimin e rastit nuk mund ta licencojnë.

“Komisioni konsideron se pas sqarimit të rrethanave dhe pranimit të informatave nga organet kompetente do të dal me një vendim përfundimtar”, kanë theksuar në përgjigjen zyrtare të Ministrisë.

Kryeprokurori Shala ka thënë se kompania në fjalë nuk ka filluar të operojë.

Sipas udhëzimit administrativ për ofruesit jopublik të shërbimeve rrethanat në të cilat leja mund të pezullohet apo anulohet është nëse pronari apo punonjësi janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për veprën penale mashtrim ose kontrabandim me qenie njerëzore.

Ndryshe, më parë Ambasada Gjermane është deklaruar se kompaninë në fjalë nuk e njeh.