Oferta e njërës nga bankat komerciale – këstet e pezulluara paguhen në bllok në fund të kredisë

3 javë më parë

Oferta e njërës nga bankat komerciale – këstet e pezulluara paguhen në bllok në fund të kredisë

Bankat komerciale në Kosovë kanë filluar që të pranojnë kërkesa nga kredimarrësit për pezullim të këstit të kredisë deri më 30 prill.

Megjithatë, edhe pse në disa banka është aprovuar prolongimi deri në tre muaj i kësteve të kredisë, në kushtet e bankës është kërkuar që të paguhet interesi dhe se këstet e mbetura do të paguhen në fund të kredisë në bllok, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Gjatë këtij tremujori ju do të paguani vetëm interesin e këstit të kredisë, ndërsa kryegjëja (principali) nuk do të paguhet, por do të bartet në këstin e fundit të kredisë, ku maturiteti i kësaj kredie nuk ndërron”, janë kushtet që i janë ofruar nga një bankë komerciale një kredimarrësi, i cili ka dashur të flasë në kushte anonimiteti.

Në kushte të tilla thuhet se “principali i kredive ekzistuese për tre muajt e ardhshëm bartet në fund të kredisë dhe bëhet si balonë, pasi që data e maturimit nuk ndërron”. Principali është pjesa e huazuar e cila mbetet e papaguar, duke përjashtuar interesin.