OEK, gjithmonë e gatshme të përkrahë prodhuesit vendorë

3 muaj më parë

OEK, gjithmonë e gatshme të përkrahë prodhuesit vendorë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ishte për vizitë në Aeroportin e Gjakovës, kompanitë “S-Imeri”, “Inova”, “Bau Block”, dhe së fundmi u takua edhe me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

OEK thotë se vizita në kompaninë “S-Imeri”, përkatësisht në njësinë për energji solare “ESCO SOLAR SYSTEMS”, ishte me rëndësi të veçantë pasi që u mbajt një ceremoni ku u realizua aktivizimi i sistemit të parë vetë-prodhues në Kosovë me energji solare në një objekt rezidencial (NET-metering).

Ky përurim ka të bëjë me një projekt të vogël mirëpo një pikënisje e një industrie të tërë të energjisë solare.

Gjatë kësaj vizite, Rukiqi u shpreh i kënaqur me potencialin e sektorit privat dhe njëkohësisht theksoi barrierat kryesore me të cilat ballafaqohen kompanitë në Kosovë.

Disa nga problemet që u potencuan më së shumti janë problemi i furnizimit me energjinë elektrike, përqindja e lartë e informalitetit dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Rukiqi theksoi se Oda Ekonomike e Kosovës është gjithmonë e gatshme në përkrahje të prodhuesve vendor për lehtësimin e këtyre problemeve dhe krijimin e mundësive të reja për shtrirjen e eksportit të bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.