Oda Amerikane fton bizneset në komuna të vogla t’i bashkohen luftës kundër korrupsionit

12 muaj më parë

Oda Amerikane fton bizneset në komuna të vogla t’i bashkohen luftës kundër korrupsionit

Komuna e Ranillugut aplikon politikën e derës së hapur për bizneset lokale që të mund të raportojnë korrupsionin, megjithatë bizneset duhen inkurajuar që të shfrytlzojnë edhe mekanizmat e tjerë institucionalë dhe ligjorë që janë në dispozicion për të raportuar korrupsionin, edhe në mënyrë konfidenciale.

Kjo u tha në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me autoritetet komunale të Rranillugut, Agjencinë e Zhvillimit Rajonal Lindje dhe me bizneset lokale, dhe me përkrahje të Projektit të UNDP për Përkrahje të Përpjekjeve për Luftimin e Korrupsionit (SAEK). Aktiviteti i sotëm përkon me aktivitetet e tjera të shumta të cilat po organizohen në nivel vendi gjatë javës së anti-korrupsionit.

Davor Petkovic nga Komuna e Ranillugut tha se pavarësisht komunikimit të hapur që komuna ka me bizneset vendore, shqetësuese mbeten kapacitetet e pamjaftueshme të bizneseve lokale dhe prospektet e kufizuara të rritjes, për shkak të qasjes së kufizuar në financa, duke kërkuar një fokus më të madh për komunat më të vogla anembanë Kosovës.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Odës Amerikane folën për efektet negative të korrupsionit, dhe mjetet ligjore që bizneset kanë në dispozicion për të raportuar korrupsionin, duke pasur parasysh që ai pengon konkurrencën e drejtë dhe të barabartë. Ata kërkuan nga bizneset e pranishme që të luajnë rolin e tyre në luftimin e korrupsionit, qoftë përmes parandalimit ose edhe luftimit të tij./AktivPress