Oda Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkojnë nga Qeveria në detyrë të mos cenojë ekonominë e lirë

2 muaj më parë

Oda Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkojnë nga Qeveria në detyrë të mos cenojë ekonominë e lirë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës shprehin shqetësimin e tyre lidhur me vazhdimin e praktikave të favorizimit të ndërmarrjeve publike, përmes zbatimit të gabueshëm të Ligjit të Prokurimit Publik në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovë, transmeton AktivPress.

“Në këtë aspekt Oda Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës shprehin shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurim Publik, për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore, me ç’rast Qeveria në detyrë ka shkelur në mënyrë direkte dispozitat ligjore dhe kushtetuese për trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve publike dhe private.

Operatorët privat të licencuar kanë të njëjtat të drejta dhe obligime si të gjithë operatorët e tjerë publikë, prandaj në këtë aspekt edhe trajtimi i tyre duhet të jetë jodiskriminues, e kjo rregullohet qartazi edhe me Ligjin për Prokurim Publik i cili i detyron autoritetet kontraktuese të trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë operatorët ekonomikë dhe ua ndalon atyre të kryejnë ndonjë aktivitet që e zvogëlon, e aq më tepër e eliminon konkurrencën e lirë. E shkelja e parimeve të konkurrencës së lirë tashmë është konfirmuar edhe nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Praktika e vazhdueshme e keqinterpretimit të nenit 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik ka cenuar operacionet e operatorëve privatë duke dëmtuar ata financiarisht e duke rrezikuar me këtë edhe ekzistencën e tyre, duke përcjellë me këtë edhe një porosi të keqe për investitorët e huaj.

Oda Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës rikujtojnë Qeverinë në detyrë dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës se këta operatorë privatë përmes investimeve ët tyre të vazhdueshme kanë ndikuar në krijimin e vendeve të reja punës si dhe ofrimin e shërbimeve cilësore.

Prandaj duke i rikujtuar institucionet edhe për obligimin e tyre për respektim të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkojnë shfuqizimin e vendimit në fjalë, duke u përmbajtur në të ardhmen nga vendime të cilat favorizojnë ndërmarrje të caktuara pavarësisht”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këtyre dy Odave./AktivPress/