“Nuk do të ketë tolerancë për ata që e dëmtuan Telekomin”

4 javë më parë

“Nuk do të ketë tolerancë për ata që e dëmtuan Telekomin”

Shkaku i performancës së dobët, kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka paralajmëruar edhe shkarkime të reja gjatë këtyre ditëve nga pozita të larta udhëheqëse në Telekom.

Duke mos dashur që të flasë me emra të përveçëm, ka thënë se nuk do të ketë tolerancë për ata që – siç ka thënë – me vite të tëra kanë keqpërdorur pozitat e tyre duke dëmtuar ndërmarrjen.

Federata Sindikale e PTK-së ka deklaruar se do ta monitorojnë gjendjen që të mos ketë shkarkime të gabuara. Ndërsa Sindikata tjetër ka thënë se “veprimet e ditëve të fundit shtojnë dyshimet, skepticizmin, se është duke u punuar diçka në dobi të Telekomit”, shkruan sot Koha Ditore.

Javën e kaluar nga kjo ndërmarrje janë shkarkuar dy zëvendësdrejtorë të Departamentit të shitjes, Blerim Zogaj dhe Driton Haliti, një menaxher i rajonit të Prishtinës, Përparim Përvetica, si dhe dy menaxherë të lartë në zyrën e kryeshefit, Arben Shabani dhe Arsim Bilalli.

Shkarkimi i tyre nga këto pozita është bërë me arsyetimin se “nuk i kanë përmbushur objektivat”.

Në media është raportuar fillimisht për shkarkim të drejtorit të Departamentit të shitjes, Demir Limaj, por kryeshefi i ndërmarrjes ka thënë se Limaj nuk është shkarkuar, por deri në fund të muajit ai pritet të vendosë nëse do të vazhdojë të qëndrojë në ndërmarrje apo të vazhdojë punën e tij si profesor, pas marrjes së gradës në Universitetin e Prizrenit.