Njohësit e sigurisë: Policia po përdoret politikisht, aksioni në Karaçevë i vonuar

1 muaj më parë

Njohësit e sigurisë: Policia po përdoret politikisht, aksioni në Karaçevë i vonuar

Dy vrasje të rënda brenda kazinove, kishin nxitur një nismë për t’i mbyllur ato.

Kjo iniciativë, ishte shndërruar në ligj me 28 mars të 2019 në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, me 10 maj, kishte filluar zbatimi i Ligjit që ndalonte çdo aktivitet të Lojërave të Fatit.

Por, për zonën e fshatit Karaçevë, të Komunës së Kamenicës, duket se ky ligj nuk vlente.

Një muaj më vonë, Televizioni Shtatë pati raportuar se atje kishte filluar funksionimi i disa kasinove, puna e të cilave ndalohej me Ligj.

Shqetësime për funksionimin e këtij lloj biznesi, banorët atje kishin shfaqur sërish.

Muaj më vonë, sërish ekipi i Televizionit Shtatë kishte qëndruar në këtë pjesë, ku më shumë se dy objekte po kryenin këtë veprimtari.

Insitutucionet e sigurisë, atë kohë patën thënë se nuk kanë qasje në këtë pjesë, pasi është zonë neutrale kufitare.

E pothuajse një vit më vonë, sërish në Kuvend, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, paralajmëroi ndërhyrjen atje.

Ky paralajmërim, brenda ditës u shndërrua në një aksion që u krye në këtë zonë.

Atje Policia e Kosovës në bashkërendim me institucionet tjera arrestoi 33 persona dhe shembi objektet ku ushtrohej veprimtaria e Lojërave të Fatit.

Njohësit e çështjeve të sigurisë në vend, thonë se arsyeja pse ndodhi operacioni një vit më vonë, është më shumë politike.

Drezan Shala, thotë se Policia e Kosovës po përdoret si mjet politik.

Ai pohon se kjo është ndërhyrja e parë e shtetit të Kosovës në atë zonë.

Operacioni u zhvillua në bashkërendim mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Doganës, Inspektoratit Policor dhe Administratës Tatimore.