Njihuni me Dritonin, ndërmarrës i cili gërsheton tradicionalen me modernen

4 muaj më parë

Njihuni me Dritonin, ndërmarrës i cili gërsheton tradicionalen me modernen

Driton Selmani, një i ri nga Podujeva ambientin e ngrohtë të shtëpisë së tij e ka kthyer edhe në ambient pune dhe angazhimi intensiv.

Një ndërmarrës i ri, i talentuar dhe me vullnet të madh për punë, Dritoni muaj më parë ka hapur punëtorinë e tij të rrobaqepësisë, pas mbështetjes së marrë nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit për të riatdhesuar.

“Dëshira për tu marrë me rrobaqepësi më ka lindur duke parë nënën time për vite me radhë teksa qëndiste me dorëveshje të ndryshme dhe aty i kam marrë hapat e parë dhe dëshirën për tu marrë me këtë lëmi”, thotë Dritoni.

Në vitin 2015, Dritoni kishte migruar në Gjermani ku kishte qëndruar 3 vite në përpjekje për të krijuar një mbijetesë atje mirëpo ishte kthyer në Kosovë tri vite më pas. Ai kishte vendosur të shfrytëzonte mundësitë e ofruara nëpërmjet programeve të punësimit, duke realizuar idenë e tij për biznes, një ide që gërsheton bukur tradicionalen dhe modernen në fushën e rrobaqepësisë.

“Jam ende në fazën fillestare mirëpo në të ardhmen dëshiroj të zgjeroj biznesin dhe të punësoj të tjerë sidomos të rinj e të reja”.

Dritoni punon veshje të ndryshme, nga të qëndisurat, fustane si dhe perde, sipas kërkesave të klientëve të tij të cilët po rriten në numër dita ditës.

Dritoni dhe shumë ndërmarrës të tjerë i janë shtuar tregut të punës duke u mbështetur nga Programi i Vetëpunësimit i APRK-së në bashkëpunim me UNDP, program që mbështet e idetë e realizueshme për biznes dhe ndihmon në krijimin e biznesve të reja, të tilla që janë në gjendje tu mbijetojnë tregut konkurrues të punës.